Ngjarje

Shahini: Te “Emin Duraku” mësimi me dy turne. Prindërit replikojnë me ministren

Disa prindër kanë zgjedhur që të mos i dërgojnë fëmijët në shkollën 9-vjeçare "Emin Duraku". 51 prindër i kanë dërguar ministres së Arsimit një kërkesë, ku kërkojnë garanci për siguri në mënyrë që ti sjellë fëmijët në shkollë. Pas tërmetit të 26 nëntorit, një pjesë e kësaj shkolle u mbyll për shkak të dëmeve. Përkundër këtyre qëndrimeve ka reaguar ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ku me anë të një postimi në rrjetet sociale thekson se mësimi do të vijojë në këtë shkollë që ndodhet në qendër të Tiranës.

"Vendimin për të hapur një shkollë apo për ta mbajtur të mbyllur e kemi marrë pas vlerësimit të inxhinierëve bashkiakë dhe Institutit të Ndërtimit. Rrjedhimisht, shkolla "Emin Duraku" Tiranë qëndron e HAPUR dhe do të punojë me dy turne sepse në pjesën më të madhe është plotësisht në rregull. Pjesa e dëmtuar nuk do të përdoret deri në sanimin përfundimtar të saj nga Bashkia", shkruan ministrja në Facebook.

Por në një reagim gjatë pasdites, Ministrja e Arsimit Besa Shahini shkruan në facebook se vendimin për të hapur një shkollë apo për ta mbajtur të mbyllur e kanë marrë pas vlerësimit të inxhinierëve bashkiakë dhe Institutit të Ndërtimit.

"Të lutem na jepni një akt ekspertimi një akt konstatimi, sepse jam prind i një fëmije që mëson në këtë shkolle. I vetmi akt është ky i lëshuar në daten 4 dhjetor ku flitet për shtesën dhe asnjë fjalë për pjesën tjetër ku do të vijojnë të mësojnë të gjithë fëmijët", shkruan Serafina Hasanbelliu.


Ndërsa Lorena Karafili i shkruan ministres në Facebook, se "Ne si prindër kemi kërkuar një ekspertim të rregullt. Akti i parë i konstatimit, ai i datës 3, për të cilin institucioni juaj nuk ishte fare në dijeni, lë si detyrë hapjen e të gjitha suvave dhe pezullimin e mësimit deri në përfundim të këtij procesi, gjë e cila sigurisht nuk mund të bëhej deri në datën 4 kur daton akti i ri i konstatimit. Nuk ka asnjë akt, ku të jete e qartë pasoja që lë pjesa e pabanueshme, në rast shembjeje. Theksoj që godinat jane ende komunikuese nëpërmjet korridoreve dhe fizikisht janë ende të pandara në mënyre përfundimtare. A mund te quhet kjo godinë e "rregullt"?!". Ata kërkojnë vënien në dispozicion të akt ekspertizës dhe të afishohet që njerëzit të jenë të sigurt për fëmijët e tyre.

Ndërsa tjetër qytetar i shkruan se "zonja ministre po na i zë gjumi në klasë fëmijët..shkolla Lasgush Poradeci kan shku te Myslym Keta dhe fillon mësimi në 2 e po mbaron në 7..është sfilitje për fëmijët".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë