Politike

Sezoni i ri politik/ Rama thërret në seli ministrat dhe drejtuesit politikë

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama vijon këtë të premte serinë e takimeve me kabinetin qeveritar dhe strukturat drejtuese të Partisë Socialiste, në një agjendë të ngjeshur politike që vjen pas mbledhjes së ekzekutivit një ditë më parë dhe takimeve dyditore të zhvilluara në Pogradec.

Pasditen e së premtes, Rama pritet të mbledhë në selinë e Partisë Socialiste ministrat e kabinetit dhe drejtuesit politikë të qarqeve, në një takim me fokus të drejtpërdrejtë organizativ dhe elektoral.

Takimi i sotëm pritet të shërbejë për përcaktimin e detyrave të drejtuesve politikë në qarqe, të cilët do të nisin punën me strukturat lokale të PS-së.

Në fokus do të jetë edhe prezantimi dhe shpjegimi në terren i dokumenteve strategjike të mazhorancës, “Besa” dhe “Prania Besnike”.

Ky organizim vjen në kuadër të përgatitjeve të socialistëve për zgjedhjet vendore të vitit 2027, me Partinë Socialiste që synon të intensifikojë praninë në terren dhe komunikimin me bazën dhe qytetarët. 

Paralelisht, pritet edhe thirrja e Asamblesë Kombëtare të PS-së, e cila, sipas pritshmërive, do të zhvillohet në javën e parë të shtatorit.

Takimi i së premtes sakaq vjen pas një formati intensiv pune të zhvilluar nga Rama në Pogradec, ku për dy ditë me radhë u mblodhën drejtuesit politikë të qarqeve, drejtues të strukturave parlamentare dhe më pas kabineti qeveritar.

Në ditën e parë, kryeministri zhvilloi një takim me drejtuesit politikë të PS-së në qarqe dhe kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare. Diskutimet u përqendruan te organizimi i strukturave, komunikimi me qytetarët dhe mënyra e re e ndërveprimit politik me bazën.

Në këtë kuadër u prezantuan edhe dokumentet “Besa” dhe “Prania Besnike”, ndërsa një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua mekanizmit të ri “Pasqyrë Albania”, i konceptuar për të ndjekur problematikat dhe kërkesat e qytetarëve.

Platforma parashikon dy mekanizma, “Flamingo Albania” dhe “Radar”. I pari synon mbledhjen e ankesave dhe problematikave të qytetarëve, ndërsa “Radar” do të mundësojë ndjekjen e tyre në kohë reale deri në zgjidhjen përfundimtare.

Qeveria synon që problematikat e evidentuara të marrin zgjidhje brenda një afati prej dy javësh, përmes koordinimit mes institucioneve të qeverisjes qendrore, bashkive dhe drejtorive të përgjithshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë