Filma

‘Sezoni i filmave klasikë’ në Kanë, Shqipëria me ‘Koncert në vitin 1936’

Nga Gazeta Si - Programi “Sezoni i filmave klasikë” në pavijonin e Bashkimit Europian në Festivalin e Filmit të Kanës përmban dhe kinematografinë shqiptare, me filmin “Koncert në vitin 1936”.

Edicioni i tretë i programit “Sezoni i filmave klasikë” u prezantua në pavijonin e BE-së në Kanë, ku ACE (Association des Cinémathèques Européennes) zbuloi detaje të programit të ri që zgjat nga qershori deri në dhjetor 2022 me shfaqje në kinematë europiane dhe në internet.

Secili arkiv ka përzgjedhur një film, ose përmbledhje filmash, nga koleksioni i tyre për të restauruar dhe shfaqur, ku filmi i përzgjedhur nga AQSHF është “Koncert në vitin 1936” (regjisor Saimir Kumbaro, 1978).

Në njoftimin e arkivit, thuhet se është një film, elementet origjinale të të cilit kanë probleme me dekolorimin e ngjyrave dhe ka nevojë imediate për proceset digjitale që të mund të risjellin figurën në jetë e kështu të jetë i përshtatshëm për projeksione në kinema digjitale.

“Risia e realizimit të këtij projekti është përfshirja e studentëve në proceset digjitale të përpunimit të figurës dhe zërit, nën udhëheqjen e një eksperti restaurimi; një mënyrë kjo për nxitjen e interesit dhe dëshirës drejt preservimit dhe restaurimit të trashëgimisë filmike dhe formimit të profesionistëve të rinj”, thuhet ndër të tjera nga arkivi.

Premiera e restauruar në nëntor 

Filmi “Koncert në vitin 1936” në variantin e restauruar në mënyrë digjitale do të shfaqet në Tiranë në muajin nëntor. AQSHF bën me dije se gjithashtu, filmi ka mundësinë të përzgjidhet në programin “ArteKino 2023” dhe të shfaqet për audiencat europiane në platformën televizive online arte.tv. Në film, një këngëtare e re Donika dhe një pianiste Eleni nisin një turne koncertesh në qytete të vegjël provincialë, duke kaluar me pianon e tyre edhe nëpër fshatra.

Dy artistet e reja takojnë shumë mikpritës midis të cilëve popullin e thjeshtë dhe autoritetet lokale, që kërkojnë të duken oksidentalë, por që në thelb janë të konfrontuar me njëri -tjetrin. Në role janë aktorë si Manushaqe Qinami, Margarita Xhepa, Robert Ndrenika, Bep Shiroka, Roland Trebicka, Gjon Karma, Albert Verria, Mirush Kabashi, Gëzim Kame, Birçe Hasko, Ilia Shyti, etj. “Sezoni i filmave klasikë” është një seri shfaqjesh kinematografike falas të krijuara për të tërhequr audiencën më të re drejt trashëgimisë sonë të përbashkët europiane kinematografike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë