Tenistja e njohur amerikane, Serene Uilliams, është rikthyer të fitojë një turne pas tre vjetësh. Në Okland ajo ka mundur në dy sete amerikanen tjetër, Pegula, duke i shtuar palmaresit të saj trofeun numër 73, i pari pas “Australian Open” të vitit 2017.
Pas një finaleje emocionuese në turneun e Oklandit në Zelandën e Re, Serena Uilliams i ka dhënë fund “agjerimit” trevjeçar. Ajo i ka dhuruar të gjitha përfitimet nga ky turne, që kapin shifrën 43 mijë dollarë, për familjet e viktimave nga zjarret në Australi. Serena mundi në finale 6-3 dhe 6-4 patrioten e saj, Xhesika Pegula, numri 82 në renditjen botërore, dhe tashmë është gati për “Australian Open”, që nis më 20 janar. Uilliams synon të arrijë rekordin e 24 titujve Grand Slam, që mbahet nga Margaret Kurt.

Është titulli i parë i Serena Uilliams që nga viti 2017, i pari që kur është bërë nënë. Atë vit tenistja amerikane fitoi “Australian Open”, edhe pse ishte shtatzënë. Tashmë 73 titujt e saj “Wta” shtrihen në 4 dekada, pasi i pari është fituar në vitin 1999. Serena e nisi keq ndeshjen finale, duke shkuar në 1-3 në favor të Pegulës, por sapo gjeti ritmin, nuk e vuri asnjëherë në dyshim fitoren. Serena Uilliams e festoi këtë trofe para syve të bashkëshortit Aleksis Ohanian dhe të vajzës së saj dyvjeëare, Olimpia. “Ka kaluar shumë kohë, besoj se duket qartë gëzimi në fytyrën time. Ndihem shumë mirë, më duket se jam përmirësuar javët e fundit dhe kjo është ajo për të cilën kisha nevojë”, – tha pas ndeshjes tenistja amerikane.
Ajo ka shpjeguar gjithashtu se tragjedia e zjarreve në Australi e ka prekur shumë dhe të gjitha përfitimit e saj nga ky turne do t’i dhurojë për këtë vend. “Luaj në Australi prej më shumë se 20 vitesh dhe ishte shumë e vështirë të shihja gjithçka ka ndodhur në këtë vend, me zjarrin dhe njerëzit e kafshët… E kisha vendosur që në fillim të turneut se do t’i dhuroja përfitimet financiare për këtë kauzë të madhe”, shtoi Serena Uilliams.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.