Lojëra me Dore

Serena Uilliams jashtë “Australian Open”, Vozniaçki tërhiqet mes lotësh

Del nga skena e madhe në raundin e tretë të “Australian Open” amerikanja Serena Uilliams, e cila u aliminua nga kinezja Uang Kiang. Serena nuk arrin të fitojë një turne “Grande Slam” prej tre vitesh dhe mbetet ende prapa Margaret Kurt. Amerikanja 38-vjeçare është mundur në 3 sete nga Kiang, 6-4, 6-7 dhe 7-5. Triumfi i fundit i Serenës në një “Slam” daton 3 vite më parë.

Edhe këtë herë ëndrra e tenistes amerikane për të thyer rekordin historik që mbahet prej gati gjysmë shekulli nga Margaret Kurt, ka përfunduar shpejt. Kiang fitoi një ndeshje dramatike, që në fakt duhej të ishte një “shëtitje” për Uilliams, siç ishte katër muaj më parë në Amerikë. Në Australi gjërat shkuan shumë më ndryshe. Serenës i mungoi shërbimi, precizioni, pasi bëri 56 gabime, si dhe agresiviteti. I vetmi moment i mirë i ndeshjes për Uilliams ishin “tie break”, ku ajo dominoi si në kohët e vjetra. Në fundin e setit të tretë, kur duhej të ngrinte nivelin, nuk ishte në gjendje të bënte difrencën. Serena Uilliams nuk humbiste kaq shpejt në “Australian Open” që prej vitit 2006, kur u eliminua nga Daniela Hantuçova.

Serena Uilliams pas humbjes. Gazeta Si, 24 janar 2020

E prekur dhe me lot në sy la fushën Karolin Vozniaçki, e cila përshëndeti publikun për herë të fundit në karrierë, pas humbjes 7-5, 3-6 dhe 7-5 ndaj tunizianes Ons Jabeur. Tenistja daneze vendosi t’i japë lamtumirën tenisit. Tashmë Vozniaçki, kampione e “Australia Open” në vitin 2018, bën pjesë te tenistet e së kaluarës. Të gjithë të pranishmit në “Margaret Court Arena” u ngritën në këmbë për të përshëndetur danezen. “Më duket e drejtë që ndeshja ime e fundit ishte një betejë me tre sete. Zakonisht, nuk qaj, por këtë herë nuk mund t’i mbaj lotët”, - ka thënë pas ndeshjes Karolin Vozniaçki.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë