Shendet

Serbia nis nesër vaksinimin e popullsisë, Maqedonia i merr dozat e para nga Bullgaria

Dozat e para të vaksinës nga kompanitë Pfizer dhe BioNtech kanë mbërritur në Serbi këtë të martë, duke e bërë Beogradin të parin në rajon që merr vaksinën kundër Covid-19.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç deklaroi të martën se vendi i tij kishte marrë 4800 dozat e parë duke bërë kështu një hap të madh në luftën kundër pandemisë.

“Ne i kemi prokuruar këto vaksina në mënyrë bilaterale, në mënyrë të pavarur. Ne jemi ndoshta i vetmi vend jashtë BE-së në këtë pjesë të Europës që arriti t’i sigurojë ato. Do të marrim më shumë në shkurt dhe mars,” deklaroi ai.

Duke folur pak pas mbërritje së dozave së para, Vuçiç the se Serbia mund të fillojë që nesër vaksinimin e grupeve të rrezikuara kundër koronavirusit.

Ai theksoi se është shumë e rëndësishme që vaksinimi të fillojë në mënyrë që të mbrohen sa më shumë njerëz që të jetë e mundur. “Ne po fillojmë menjëherë. Vaksina do të thotë shpëtim dhe ne nuk do të presim më asnjë sekondë përpara se të fillojmë të luftojmë mbrapsh” tha Vuçiç. “Nesër do të fillojmë vaksinim në shtëpitë e të moshuarve, sepse është e rëndësishme t’i mbrojmë këta njerëz. Burrat mbi 80 vjec janë më të rrezikuarit dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të fillojmë me ta”, përfundoi Vuçiç.

Ai sinjalizoi po ashtu se ai ose një zyrtar i lartë i shtetit do të vaksinohej publikisht, si një mesazh se vaksina është e sigurt.

Ai tha se Serbia është e para nga rajoni që nuk i përket BE dhe e cila pagoi po ashtu mbi katër milion euro për programin COVAX, për të marrë vaksina edhe kjo nismë.

“Ne presim që të marrim një pjesë të konsiderueshme të vaksinave përmes këtij programi dhe përmes BE-së, por gjithashtu treguam se mund të luftojmë vetë. Nëse gjithçka shkon mirë, shpresoj që në mes të janarit të fillojmë vaksinimin masiv, për të vaksinuar qindra mijëra njerëz. Nëse arrijmë të vaksinojmë një milion njerëz deri në fund të janarit, ky është një sukses i madh “, theksoi Vuçic.

I pyetur nëse ai pret që BE të ndryshojë vendimin e saj dhe të fillojë shpërndarjen e vaksinave në Ballkan para majit, Vuçiç tha se kishte besim tek komisioneri i BE Olivér Várhelyi se sasi të konsiderueshme të vaksinës do të shpërndaheshin dhe se nuk do të priste muaj pasi vendet e BE morën vaksinën . “Por, ne jemi të zgjedhur dhe të detyruar të udhëheqim vendin tonë, Serbinë, dhe është detyrimi ynë të sigurohemi që të gjejmë vaksinën dhe të kujdesemi për njerëzit dhe qytetarët,” tha Vuçiç.

Të parët që do të vaksinohen në Serbi do të jenë qytetarët më të vjetër se 75 vjec, të cilët janë kategoria më e ndjeshme e popullsisë. Pas marrjes së dozave të dyta në janar, Serbia do të vaksinojë njerezit e shëndetësise, të ndjekur nga anëtarët e tjerë të personelit mjekësor.

Nderkaq 360.000 vaksina pritet të mbërrijnë në janar. “I gjithë plani operacional do të jetë shumë dinamik dhe ne do ta ndryshojmë në varësi të sasisë së dozave të vaksinës që kemi. Ne do të bëjmë një plan orientues,” tha Djerlek, duke shtuar se situata epidemiologjike do të monitorohet dhe vendimet për planin e vaksinimit do të të bëhen në përputhje me rrethanat.

Pas Serbisë, e dyta që do të marrë vaksninën kundër koronavirusit duket se është Maqedonia e Veriut. Edhe pse i ka bllokuar anëtarësimin në Bashkimit Europian, Bullgaria do t’i dhurojë Shkupit dozat e para të vaksinës.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe deklaroi pas kthimit nga një vizitë në Sofje se besonte se sasia e parë e vaksinave në Maqedoni do të arrijë në janar. Sipas ministrit bullgar të Shëndetësisë, Kostadin Angelov, në Bullgari fillimisht do të arrijnë vaksinat Pfizer/BioNTech, pastaj ato Moderna dhe AstraZeneca.

“Ne do të kemi doza të mjaftueshme për të gjithë qytetarët bullgarë dhe, veç kësaj, do të kemi edhe doza shtesë për vendet fqinje të Ballkanit Perëndimor”, tha Angelov.

Bullgaria tha se vaksinat e saj të para ka të ngjarë të mbërrijnë në 25 dhjetor, 24 orë pas miratimit nga autoritetet shëndetësore europiane.

Kroacia gjithashtu pret që dozat e vaksinës së Pfizer rreth Krishlindjeve. Drejtori i Institutit Kroat të Shëndetit Publik, Krunoslav Capak, tha se 9.200 doza të vaksinës do të mbërrijnë në datat 27-29 dhjetor. Kroacia ka porositur 5.6 milion doza nga të gjithë prodhuesit bazuar në marrëveshjet që Komisioni përfundoi në emër të vendeve anëtare, përfshirë një milion vaksina nga Pfizer, por nuk ka deklaruar ende nëse do të dhurojë një pjesë të sasisë së porositur për fqinjët e Ballkanit Perëndimor.

Nëse nuk u dhurohet vaksina nga fqinjët ose vendet europiane, në Shqipëri,  Kosovë dhe Mal të Zi vaksinat nuk do të mbërrijnë deri në pranverën e vitit 2021.

Në Malin e Zi, kreu i Institutit për Shëndetin Publik, Igor Galic, të hënën tha se vaksinat e para do të mbërrijnë në prill, duke theksuar se qeveria ka formuar një organ të veçantë për të organizuar shpërndarjen dhe vaksinimin. Mali i Zi po mbështetet vetëm në COVAX, të cilin e nënshkroi më 9 tetor. Podgorica ra dakord të paguante 646,000 euro për 248,800 doza, sa për 20 për qind të popullsisë.

Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetit të Kosovës ka thënë se vaksina nuk do të mbërrijë para pranverës 2021, dhe mundësi më e madhë është të mbërrijë në prilli. Sipas OBSH, Kosova nuk ka aftësi teknike për të shpërndarë vaksinën dhe OBSH është në proces të trajnimit të personelit mjekësor.

Autoritetet shëndetësore shqiptare më 21 dhjetor thanë se dozat e para të vaksinave pritet të mbërrijë “brenda muajve të ardhshëm”, duke e lënë vendin tonë shumë mbrapa fqinjëve si Maqedonia e Veriut ose Serbia.

Këshilli i Ministrave i Bosnjë dhe Herzegovinës nga ana tjetër ka thënë se 1,230,000 doza të vaksinës, të rënë dakord përmes programit COVAX, duhet të arrijnë në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm.

Në të njëjtën kohë, Republika Srpska, po negocion gjithashtu me Rusinë për vaksinat. Kreu i Përfaqësisë së Republikës Srpska në Moskë, Dusko Peroviç, tha në fillim të dhjetorit se dorëzimi i parë i vaksinave ruse “Sputnik V”  kundër koronavirusit mund të pritej shkurtin e ardhshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë