Bota

Serbia i vjen në ndihmë Hungarisë për furnizimin me gazin rus

Hungaria ka arritur një marrëveshje me Serbinë që mund të sjellë më shumë dërgesa të gazit natyror rus përmes vendit ballkanik nëse Ukraina i jep fund një marrëveshjeje për tranzitin e gazit me Moskën.

Serbia do t’i sigurojë Hungarisë dërgesa të shtuara të gazit natyror rus nëse Ukraina përfundon një marrëveshje për tranzitin e gazit me Rusinë, tha të dielën ministri i jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto.

Ai tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ishte takuar me kryeministrin hungarez Viktor Orban në Budapest dhe e siguroi atë se Serbia do të ishte në gjendje të furnizonte më shumë gaz rus në Hungari nëse Kievi refuzon të zgjasë një marrëveshje që lejon tranzit nëpër territorin ukrainas.

“Ne kemi dëgjuar ditët e fundit se Ukraina do të mund të përfundonte marrëveshjen e transitit të gazit natyror të përfunduar më parë me Rusinë”, tha Szijjarto.

“Sot, presidenti serb e bëri të qartë se nëse Hungaria dëshiron të rrisë dërgesat e gazit natyror përmes Serbisë në Hungari, atëherë Serbia mund të sigurojë kapacitetet e nevojshme të dërgesës. Marrëveshja erdhi pasi ministri i energjisë i Ukrainës, German Galushchenko, tregoi se Kievi nuk ka gjasa të zgjasë marrëveshjen e tranzitit që sjell gazin natyror rus në vendet europiane nëpërmjet Ukrainës. Kjo marrëveshje pritet të përfundojë vitin e ardhshëm”.

Hungaria merr afërsisht 80% të gazit të saj natyror nga Rusia – kryesisht përmes tubacionit Turk Stream i cili kalon përmes Serbisë në jug të saj – dhe ka luftuar fuqishëm kundër sanksioneve ndaj energjisë ruse të propozuara nga Bashkimi Europian. Edhe pas pushtimit të Ukrainës nga Moska në shkurt 2022, Hungaria ka kërkuar të përmirësojë qasjen e saj në lëndët djegëse fosile ruse, duke argumentuar se ato ishin thelbësore për sigurinë e saj energjetike.

Gjatë një vizite në Moskë në prill, Ministri i Jashtëm Szijjarto tha se kompania shtetërore ruse e energjisë Gazprom kishte rënë dakord të lejonte Hungarinë, nëse nevojitej, të importonte sasi të gazit natyror përtej sasive të rënë dakord në një kontratë afatgjatë të lidhur më 2021.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë