Politike

Serbia i dhuron vaksinat e Pfizer Maqedonisë, por Shqipëria nuk i dhuron dot Kosovës?

Kur Shqipëria mori dërgesën e para nga Pfizer, kryeministri Edi Rama u detyrua të tërhiqej nga premtimi i tij për t’i dhuruar një pjesë Kosovë, duke thënë se kontrata me Pfizer nuk e lejon dhurimin apo shitjen e dozave.

“Nuk e kam harruar që kemi marrë një zotim për të ndihmuar Kosovën por dua të sqaroj që rregullat tejet strikte dhe kufizimet e forta që kompania Pfizer ka vendosur, siç ka bërë që ne të mbetemi strikt për mbajtjen e origjinës nga erdhën, e bën të pamundur që ne të dhurojmë doza vaksinash. Nuk e bëjnë të pamundur që ne të bëjmë vaksinimin e mjekëve të spitaleve COVID të Prishtinës. I kam kërkuar ministres së shëndetësisë për të komunikuar me homologun", tha Rama në atë kohë, duke premtuar vaksinimin e 50 mjekëve nga spitali Infektiv i Prishtinës.

Por edhe pse për vendin tonë duket e pamundur Serbia duket se ka gjetur një mënyrë për të bindur kompaninë farmaceutike Pfizer për dhurimin e mijërave dozave Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që kjo e fundit është në pritje të vaksinave kineze.

Duke u takuar në vendkalimin kufitar të Tabanovcës me Kryeministri Zoran Zaev, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç i dorëzoi sot Maqedonisë së Veriut 4,680 doza të vaksinës së Pfizer, të mjaftueshme për vaksinimin e 2,340 personave. Vendi fqinj ka siguruar kështu përmes dhurimit nga qeveria serbe dyfishin e dozave të Shqipërisë dhe premtoi të nisë menjëherë fushatën e vaksinimit, duke filluar nga mjekët.

Ashtu si Rama, edhe presidenti Vuçiç theksoi se marrëveshja dypalëshe me "Pfizer" nuk i lejonte të dhuronin vaksinat e marra dhe për këtë arsye procedura u zgjat. Por Serbia duket se ia ka dalë të “bindë” Pfizer, duke shmangur kështu sanksionet nga kompania amerikane.

“Jam i lumtur që dhamë donacionin. Ne mund ta kishim bërë këtë dhjetë ditë më parë, por kishim shumë probleme për të marrë lejen. Këto janë procedura shumë të rrepta dhe në fund u jemi mirënjohës njerëzve nga "Pfizer" të cilët na kontrolluan dy herë dhe lejuan që donacioni të ndodhte. Por duhej të kalonim procedurat tepër komplekse për të shmangur sanksionet. Jam i lumtur që qytetarët maqedonas do të fillojnë imunizimin, jam i lumtur që kemi mundur të ndihmojmë vëllezërit dhe miqtë tanë. Ne nuk kemi aspirata. Ne nuk jemi të interesuar vetëm për miqësinë. Kjo është një dhuratë e thjeshtë," tha Presidenti Vuçiç

Zaev nga ana tjetër e cilësoi këtë donacion si një akti të çmuar miqësie. "Ky solidaritet dhe mbështetje është një shprehje e traditës në rajon, pasi ne u shtrimë gjithmonë dorën e ndihmës fqinjëve tanë," tha Kryeministri Zaev.

Në mënyrë që Serbia t’i mund t’i dhuronte vaksinat Pfizer, dy vendet duket se kanë nënshkruar një marrëveshje tre paleshe me Pfizer, e cila ka dhënë miratimin vetëm dy ditë më parë.

" Pas dritës jeshile nga "Pfizer", ne kemi punuar gjatë gjithë ditës së djeshme për të bërë të mundur marrjen e vaksinave. “Ne nënshkruam marrëveshjen trepalëshe, e cila ishte praktikisht një kusht që të ndodhte ky donacion nga Serbia. Vaksinat janë sot në vendin tonë. Procedura e rregullt në Agjencinë e Barnave do të përfundojë nesër, pas së cilës vaksinimi do të fillojë të Mërkurën me punëtorët shëndetësorë në klinikën modulare në Qendrën Klinike në Shkup ”, tha Ministri maqedonas i Shëndetësisë Venko Filipçe.

Por  do të thotë rruga e ndjekur nga Beogradi dhe Shkupi kjo se edhe Shqipëria mund t’i dhurojë disa doza Kosovës?

Kryeministri Rama ka theksuar vazhdimisht se marrëveshja e bën të qartë së një vendi i duhet konfirmimi nga Pfizer për t’i dhuruar, apo shitur vaksina një vendi tjetër.

“Ka një element që duhet pasur parasysh që vendet për të bërë marrëveshje me njëra-tjetrën, qoftë për të dhuruar, shitur apo shkëmbyer duhet patjetër që të marrin leje nga Pfizer. Ndryshe ky transaksion është i pamundur. Kështu shkruhet edhe në marrëveshjen që ne kemi përfunduar", tha Rama duke folur në një seance plenare në janar.

Megjithatë, nuk është ende e qartë nëse Shqipëria ka kërkuar apo jo miratimin e Pfizer për t’i dhuruar apo jo disa nga dozat e saj Kosovës.

Të gjitha vendet e Ballkanit kanë luftuar për të pasur akses në vaksinat COVID-19 nga kompani dhe programe të shumta, por përveç Shqipërisë dhe Serbisë, vendet e tjera janë ende duke pritur për vaksinat për një afat të pacaktuar. Kosova ka siguruar 500,000 vaksina anti-COVID-19 nga kompania farmaceutike Pfizer por nuk është e qartë nëse ato do të mund të arrijnë përpara shkurtit. Ndërkohë Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë në pritje të vaksinave kineze, ndërsa Bosnja ka porositur vaksinën ruse.

Serbia ka premtuar t’i “vijë në ndihmë” rajonit, duke vendosur të prodhojë vetë vaksinën ruse Sputnik-V dhe t’ua shpërndajë të gjitha vendeve të Ballkanit që kanë mungesë dozash. Ajo ka premtuar po ashtu t’i dhurojë Malit të Zi një pjesë të vaksinave të Pfizer, por pritet për t’u parë nëse do ta “bindë” sërish Pfizer për dhurimin e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë