Gazeta Si – Anthony Fauci, eksperti i sëmundjeve infektive që drejton reagimin e SHBA-ve ndaj pandemisë së COVID-19, është shpallur fajtor për shpërfillje të Kongresit nga një komision i Senatit.
Javën e kaluar, gjatë një seance dëgjimore, Fauci iu referua vazhdimisht Amendamentit të Pestë për të shmangur përgjigjet ndaj pyetjeve mbi rolin e tij në pandemi.
Mocioni u miratua me tetë vota pro dhe shtatë kundër. Tani ai përballet me rrezikun e një hetimi penal.
Frika nga ndjekja penale: Ishte Komisioni i Senatit të SHBA-ve për Sigurinë e Brendshme dhe Çështjet Qeveritare ai që e shpalli fajtor ish-drejtorin e Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive (NIAID) në shpërfillje të Kongresit.
Konkretisht, Fauci ushtroi në mënyrë të përsëritur të drejtën e tij sipas Amendamentit të Pestë për të mos u vetëinkriminuar, duke deklaruar në fjalën e tij hyrëse se besonte se republikanët mund ta përdornin dëshminë e tij për ta ndjekur penalisht.
Fauci ka qenë prej kohësh në shënjestër të së djathtës amerikane për shkak të rolit që luajti si zyrtar i lartë shëndetësor gjatë pandemisë së COVID-19.
Në fillim të seancës dëgjimore, kryetari i komitetit, Rand Paul, deklaroi se komiteti po votonte mbi çështjen “nëse një dëshmitar që ka përfituar nga një falje e gjerë federale mund të detyrohet nga ky komitet t’u përgjigjet pyetjeve dhe më pas ta shpërfillë atë urdhër pa pasoja” – duke iu referuar faljes që iu dha Faucit dhe zyrtarëve të tjerë nga presidenti i atëhershëm Joe Biden pak para largimit nga detyra, me qëllim mbrojtjen e tyre nga akuza të mundshme të motivuara politikisht.
Paul argumentoi se Fauci nuk mund të ushtronte të drejtën e Amendamentit të Pestë pikërisht për shkak të faljes paraprake që kishte marrë nga Bideni.
“Unë e urdhërova të përgjigjej dhe e paralajmërova për shpërfillje të autoritetit të komitetit, por ai refuzoi gjithsesi. Kjo përbën pengim të një hetimi të Kongresit. Komiteti do të veprojë në përputhje me rrethanat”, deklaroi Paul.
Në rezolutën për shpërfilljen e autoritetit, republikanët argumentuan më tej se Fauci praktikisht kishte “hequr dorë” nga e drejta e tij e Amendamentit të Pestë duke mbajtur një deklaratë hyrëse lidhur me tematikën e pyetjeve që po hetoheshin.
Kjo akuzë për shpërfillje të autoritetit është thjesht kapitulli më i fundit i fushatës republikane kundër Faucit – një fushatë e nxitur nga vite të tëra pakënaqësie lidhur me kufizimet dhe nga një debat i zjarrtë mbi origjinën e virusit.
Të martën e kaluar, më 4 gusht, Paul e akuzoi sërish Faucin se kishte gënjyer Kongresin dhe kishte shkatërruar dokumente, duke i cilësuar të dyja veprimet si “krime të rënda” që dënohen me burgim në rast dënimi.
Këto akuza u hodhën poshtë menjëherë nga Fauci dhe ekipi i tij ligjor, të cilët i përshkruan sulmet e Paulit si një “hakmarrje personale obsesive”.
Presidenti amerikan nuk hezitoi të komentonte mundësinë e ngritjes së akuzës ndaj Faucit: “Ata ngritën akuza ndaj Peter Navarros dhe Steve Bannonit – njerëz vërtet të denjë. Unë do t’i kisha falur brenda dy sekondash. Kështu që, kur sheh të ndodhë diçka e tillë, të shkon mendja se ndoshta e njëjta gjë duhet bërë edhe me të. Ajo që bëri ai është shumë më serioze. Kur sheh të ndodhë diçka e tillë, të shkon mendja se ndoshta ndaj tij duhet të ngrihet akuzë”, shtoi presidenti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje