Shendet

Sëmundjet e zemrës, kërcënim në verë/ Kardiologia: Mos neglizhoni kontrollet dhe faktorët e rrezikut

Nga Gazeta Si- Sëmundjet kardiovaskulare mbeten shkaku kryesor i sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në Shqipëri. Sipas kardiologes  Daniela Teferiçi, në prag të temperaturave të larta të verës, duhet të shmanget ekspozimi në diell gjatë orëve të pikut të nxehtësisë, veçanërisht personat me probleme të zemrës dhe tensionit arterial.

Mjekja thotë se faktorët e rrezikut që ndikojnë më shumë në shfaqjen e tyre janë duhanpirja, mungesa e aktivitetit fizik, mbipesha, diabeti, hipertensioni dhe niveli i lartë i yndyrnave në gjak.

Dr. Teferiçi shpjegon se shumë prej këtyre faktorëve veprojnë në mënyrë të heshtur dhe për këtë arsye shpesh nuk marrin vëmendjen e duhur nga qytetarët.

Kardiologe Daniela Teferiçi

“Problemi është se dëmi krijohet gradualisht. Yndyrnat e larta në gjak, për shembull, nuk japin shqetësime të menjëhershme, por me kalimin e viteve dëmtojnë enët e gjakut dhe rrisin ndjeshëm rrezikun për sëmundje të zemrës”, thotë ajo.

Një tjetër faktor i rëndësishëm është diabeti, i cili në shumë raste mund të mos shfaqë simptoma të dukshme, por që konsiderohet ndër shkaktarët kryesorë të dëmtimeve të sistemit kardiovaskular.

“Diabeti dëmton enët e gjakut në të gjithë organizmin dhe rrit ndjeshëm rrezikun për sëmundje të zemrës dhe enëve të gjakut”, thekson mjekja.

Sipas saj, parandalimi mbetet arma më e fortë për të shmangur komplikacionet. Trajtimi korrekt dhe në kohë i faktorëve të rrezikut mund të vonojë ose edhe të parandalojë shfaqjen e sëmundjes.

Personat që kanë histori familjare të sëmundjeve kardiovaskulare duhet të tregojnë kujdes të veçantë, pasi trashëgimia gjenetike i vendos ata në një kategori më të lartë rreziku.

“Një stil jetese i shëndetshëm është thelbësor. Aktiviteti fizik i rregullt, ushqyerja e balancuar, mbajtja nën kontroll e peshës trupore, trajtimi i hipertensionit dhe i yndyrnave të larta mund të shtyjnë sa më shumë shfaqjen e sëmundjes”, shprehet Dr. Teferiçi.

Ajo nënvizon rëndësinë e kontrolleve periodike, veçanërisht për personat që kanë predispozitë gjenetike. Sipas saj, kur trashëgimia shoqërohet edhe me faktorë të tjerë rreziku, sëmundja shfaqet më herët dhe me pasoja më të rënda.

Lidhur me simptomat që nuk duhen neglizhuar, kardiologia veçon dhimbjen e gjoksit si shenjën më tipike të problemeve të zemrës.

“Dhimbja zakonisht ndihet në mes të gjoksit, si një shtrëngim ose ndjesi mbytjeje dhe mund të përhapet drejt shpinës apo nofullës. Kjo është një ankesë klasike e pacientëve që kanë bllokime të arterieve koronare”, shpjegon ajo.

Po ashtu, marrja e frymës gjatë ecjes së shpejtë, ngjitjes së shkallëve apo aktivitetit fizik është një tjetër simptomë që kërkon vlerësim mjekësor.

Një këshillë e rëndësishme për pacientët me sëmundje kardiovaskulare është respektimi i trajtimit të përshkruar nga mjeku.

“Edhe nëse pacienti ndihet mirë dhe nuk ka më shqetësime, mjekimi nuk duhet ndërprerë pa rekomandimin e mjekut. Ndërprerja e tij mund të sjellë pasoja serioze për shëndetin”, paralajmëron Dr. Teferiçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë