Nga Gazeta Si – Numri i vdekjeve në Shqipëri gjatë vitit 2023 ra me 11.3 për qind në krahasim me 2022, në një total prej 21.286.
Sipas Instat, 96,6 % e vdekjeve kanë ndodhur si pasojë e shkaqeve natyrale ndërkohë që vdekjet nga grupsëmundja “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” zënë peshën më të madhe në totalin e vdekjeve të regjistruara me 51,7 %, duke vazhduar të jetë shkaku kryesor i vdekjeve. Krahasuar me vitin paraardhës, vdekjet nga kjo grupsëmundje kanë shënuar rënie me 15,9 %. Sëmundjet kronike të zemrës, sëmundjet ishemike dhe sëmundjet e enëve të trurit zënë peshën më të madhe të vdekjeve në sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut.

Gjithashtu, një pjesë e konsiderueshme e vdekjeve kanë qenë të paqarta.
Grupsëmundja “Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë”, përbën grupin e dytë me peshën më të lartë të vdekjeve (20,9 %) por krahasuar me vitin e kaluar, janë shënuar 8,6 % më pak humbje jete.
Tumoret përbëjnë grupin e tretë të sëmundjeve me peshën më të madhe të vdekjeve të regjistruara, 15,7 % të vdekjeve gjithsej. Krahasuar me vitin 2022, janë regjistruar 3,2 % më shumë humbje jete. Sëmundjet “Tumor malinj i aparatit të tretjes” (38,0 %), “Tumor malinj i aparatit të frymëmarrjes” (22,2 %) dhe “Tumor malinj i organeve urogjenitale” (13,8 %) përbëjnë peshën më të madhe të vdekjeve në këtë grupsëmundje.

Analizuar sipas shkakut të vdekjeve, në grupsëmundjen “Tumoret”, përafërsisht gjysma e humbjeve të jetës i përket grup-moshës 65-79 vjeç (49,6 %).
Vdekshmëria sipas gjinisë
Nga 21.286 të vdekur gjithsej, 53,8 % janë meshkuj dhe 46,2 % janë femra. Si te femrat dhe te meshkujt, sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut” përbëjnë shkakun kryesor të humbjeve të jetës, përkatësisht 53,6 % femra dhe 50,0 % meshkuj.
Ndërsa vdekjet për shkaqe të paqarta përbëjnë shkakun e dytë kryesor të vdekjeve për të dyja gjinitë. Grupsëmundja e tretë vijon me “Tumoret”, me përqindjen më të lartë të vdekjeve te meshkujt (18,0 %) krahasuar me femrat (12,9 %).
Bie vdekshmëria foshnjore
Në vitin 2023, janë regjistruar 144 vdekje foshnjore, 52,1 % janë neonatal i hershëm (0-6 ditësh), 18,0 % neonatal i vonshëm (7 -27 ditësh) dhe 29,9 % janë postneonatal (28-365 ditësh). Norma e vdekshmërisë foshnjore është 6,1 për 1.000 lindje të gjalla, përkundrejt 6,5 në vitin 2022. Shkaqet kryesore të vdekshmërisë foshnjore janë “Sëmundjet që shfaqen në periudhën rreth lindjes, sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut dhe anomali të bashkëlindura.

Në vitin 2023, në secilin qark, numri më i madh i vdekjeve shkaktohet nga grupsëmundja “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” ndjekur nga “Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë” dhe “Tumoret”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.