Sabina Veizaj - Ekoja e sëmundjes që ka rënë ndër ullishtaritë e Europës, kryesisht në ato të Pulias të Italisë, vazhdon të rrisë frikën tek fermerët shqiptarë.
Edhe pse ka 10 vite që ullishtaritë e vendit tonë, veçanërisht ato të zonës së jugut, nuk janë më shëndetplotë, ka mendime të ndryshme prej specialistëve nëse bakteri Xylella, ka prekur edhe ullinjtë e Shqipërisë.
Hajri Ismaili, agronom është i bindur se bakteri Xylella ka prekur ullishtaritë e jugut; Beratit, Vlorës, Himarës, sidomos ato të Biliçit në Berat.
Agronom Ismaili thotë për Gazeta Si se “dje kam folur me fermerë të Biliçit dhe janë shumë të shqetësuar për sëmundjen që u ka rënë ullinjve të tyre. Ka 10 vite që 1/3 e prodhimit të tyre po thahet. Ata janë shumë të revoltuar dhe nuk po gjejnë zgjidhje përfundimtare dhe të qëndrueshme. I trajtojnë sipas mënyrës së tyre me pesticide”.
Tek e pyes nëse është bakteri që ka rënë në Europë apo mund të jetë klima e thatë në vendin tonë, agronom Ismaili më përgjigjet me siguri se është infeskion, sëmundje. Dhe, thotë ai, këtë duhet ta diagnostikojë dhe të japë evidenca të sakta Ministria e Bujësisë, por “nuk di nëse ju intereson ta bëjnë këtë”.
Shpresa Shkalla e cila prej vitit 1997 ka një fabrikë në Peqin ku merret me përpunimin e ullinjve për ti kthyer në vaj, mendon se ullinjtë e veriut nuk janë prekur nga ndonjë bakter, “por që ka patur probleme me prodhimin, sidomos vitin që shkoi, kjo është evidente”- më thotë ajo.
Sipas saj, në 22 vite që ajo e njeh mirë fushën ku operon, nuk ka patur stinë më të keqe për ullinjtë se 2018-ta.
“Ullinjtë vjet janë pjekur një muaj e ca përpara. Jam detyruar të hap fabrikën po në avancë. Ka qenë një thatësirë e tmerrshme dhe një pjesë e madhe e tyre u thanë”- më shpjegon Znj. Shkalla duke këmbëngulur që prishja e ullinjve ka ardhur nga thatësira, kryesisht në Shqipërinë e mesme dhe në veri. Ajo shton se nuk janë marrë masa dhe fermerët janë të shqetësuar. “Nuk jam në dijeni për në ullishtaritë e jugut”- sqaron mandej ajo.
Të njëjtin mendim mbështet edhe Silvana Subashi, prsidente e Shoqatës Shqiptare të Vajit të Ullirit. Sipas saj, ullishtaritë e Shqipërisë nuk janë prekur nga bakteri që ka prekur ullishtaritë e Europës dhe kjo nuk mund të ndodhë.
Një profesor i Universitetit Bujqësor të Kamzës shpjegon për Gazeta Si se, sëmundja mund të transmetohet kryesisht me insektet përkatëse, të cilat mbartin bakerin Xylella, të cilat mund të vinë në vendin tonë në rruge të ndryshme, ose me fidanë të cilët mund të jenë të infektuar apo dhe me shartesa. “Sëmundja është shumë e përhapur. Nuk dihet situata në vendin tonë, nëse ka ose jo. Duhen filluar kontrollet nga agronomët e mbrojtjes së bimëve. Sëmundja përhapet shumë në kohën e thatë ose pas shirave, të cilat favorizojnë shtimin e insekteve”- shpjegon profesori i Univeristetit Bujqësor duke shtuar se “shenjat në një bimë të infektuar shfaqen atëherë kur ato (bakteriet) bllokojnë enët e xylemës tek bima, gjë e cila ende nuk është shumë e qartë.”
Për të, në këtë situatë, duhet ndaluar importi i fidanëve nga Pulia, shartesave etj sepse sëmundja nuk transmetohet me farërat.
Profesori shpjegon se për këtë sëmundje nuk ka trajtim, por duhet të bëhet veç eliminimi i pemës së infektuar.
Shqipëria ka aktualisht 11 milionë pemë ulliri, ku pothuajse ½ çdo vit nuk ka prodhimtari. Që do të thotë se llogariten gjithmonë rreth 6 milionë pemë në prodhim.
Sipas Silvana Subashit, degradimi i ullishteve ndodh nga mosmirëmbajtja për shkak të migrimit dhe emigrimit apo dhe nga mosmirëmbajtja në mënyrë profesionale që kanë çuar këtë kulturë në alternanca të theksuara prodhimi.
Kultivimi i ullirit dhe prodhimi i vajit të ullirit në Shqipëri është i bazuar në pjesën dërmuese në biznese familjare. Sipas të dhënave zyrtare prej Shoqatës Shqiptare të Vajit të Ullirit, Shqipëria ka rreth 450 fabrika përpunimi ulliri për vaj. Prej tyre vetëm 2/3 janë të regjistruara.
Rreth 2% e fabrikave të përpunimit të ullirit punojnë tërësisht për prodhim të vetin dhe daljen në treg me markën e tyre.
Në supermarketet e vendit vazhdojnë të dominojnë market e huaja.
Tregu botëror i vajit të ullirit
Tregu global i vajit të ullirit pritet të arrijë në 11, 04 mld dollarë në 2025. Këtë e thotë një studim i Hexa Research.
Po sipas HEXA Research, tregu global i vajit të ullirit u vlerësua 7.83 miliardë dollarë në 2017, duke pritur një rritje me 6.3% nga viti 2017 deri në vitin 2025.
Rritja e ndërgjegjësimit ndër njerëz për vlerat që ka në shëndet vaji i ullirit, po e drejton tregun drejt tij duke rritur prodhimin dhe konsumin. Vaji I ullirit njihet për uljen e riskut të sëmundjeve të zemrës, diabetit, tensionit të lartë, kolesterolit, obezitetit, ishemisë, dhe depresionit.
Italia, Spanja, Greqia, Gjermania, Britania e Madhe, Portugalia, Maroku, SHBA dhe Japonia janë mes prodhuesëve kryesorë në botë pasi klima në këto vende është favorizuese për kultivimin e ullinjve. Kërkesa sipas HEXA Research pritet të mbetet e fortë në vende si Australia, Japonia, India dhe SHBA ku pritet të rritet konsumi.
Që prej 2014-ës, klima e thatë në rajonin e Mesdheut ka dëmtuar prodhimin, që ka ndikuar në rritjen e çmimit. Rritja e çmimit ka ndikuar në uljen e kërkesës ndër konsumatorë të cilët e kanë zëvendësuar vajin e ullirit me vajëra të tjerë. Sipas Këshillit Ndërkombëtar të Ullirit (IOC), ka patur një rënie me 6.0% në konsumin global të vajit të ullirit përgjatë 2016–2017. Këshilli ka pohuar se vetëm në Europë, konsumi ka rënë me 12.0%, pasi konsumatorët në vendet kryesore si Spanja u drejtuan drejt vajërave të tjerë si ai i lulediellit, etj.
Kërkesa nga rajoni i Paqësorit Aziatik pritet të rritet me një ritëm të qetë gjatë viteve të ardhshme. Vende si India dhe Kina pritet të jenë vendimtarë në rritjen e tregut. Në vitet e kaluara, India ka dëshmuar rritje të ndjeshme në importin e vajit. Rritja është përshpejtuar nga ndryshimi i stilit të jetesës dhe preferencat e konsumatorëve në drejtim të produkteve të shëndetshme.
Në 2017, tregu Indian ka më shumë se 80 brande përfshirë Del Monte, Borges, Leonardo, and Figaro.
Por në fund të 2013-ës në Europë, përfshirë Italinë e kryesisht rajonin e Pulias, ra një sëmundje e quajtur xylella fastidiosa, e cila vazhdon të shqetësojë edhe sot fermerët e rajonit jugor italian.
Vetëm një orë me makinë në, në një pjesë të Pulias të quajtur Salento, një shkencëtar i qeverisë italiane, Pierfederico La Notte, po përpiqet të ndalë përhapjen e kësaj sëmundjeje.
Komisioni Europian i konsideron bakteret bimore një nga më të rrezikshmit në botë. Ajo mbartet nga pema në pemë përmes një insekti të vogël. Vaji prej një peme të infektuar, thonë specialistët italianë, mund të përdoret, por shumë shpejt pema thahet dhe vdes e nuk mund të prodhojë më.
“Kjo epidemi, nëse nuk ndalohet në kohë, ka potencialin të shkatërrojë tërësisht industrinë e vajit të ullirit në këtë zonë,” është shprehur La Notte.
Prej 60-mln pemësh ulliri në Pulia, më shumë se 10 milion janë tashmë të infektuara, përfshirë edhe ato më të vjetrat.
Më 2014-ën Ministri shqiptar i Bujqësisë i asaj kohe Edmond Panarit do të thoshte; “T’i vëmë një emër për ato raste që dyshohen, nëse kemi të bëjmë në praninë e kësaj sëmundjeje që çon në tharjen e shpejtë të ullirit, të vektorëve dhe pastaj të marrim një kompleks masash për të mbrojtur ullishtarinë tonë nga ky virus shumë i rrezikshëm”.
Ministri e cilësonte këtë sëmundje në atë kohë si kërcënuese për ullishtarinë shqiptare, ndërsa theksonte se informacionet që po vinin në mënyrë sistematike nga Italia, por edhe nga Bashkimi Europian, qenë alarmuese. “Nuk mund të themi që sëmundja është prezente, por kemi dëmtime që mund të na bëjnë të mendojmë se sëmundja është prezente, për arsye se akoma nuk kemi një diagnozë të vërtetuar nga qendrat përkatëse siç është Universiteti Bujqësor”- do të shprehej në atë kohë ministri Panariti.
Sëmundja në ullishtaritë e Europës është ende prezente, sidomos në ullishtaritë e Pulias, rajon afër nesh dhe situata në Shqipëri është e paqartë, po njësoj si pesë vite më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.