Drejtësia

Sekuestrohen pasuritë e ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë

Prokuroria e Posaçme ka urdhëruar sekuestrimin e shtatë pasurive të ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Guxim Zenelaj.

Nën sekuestro janë vendosur një dyqan, tre apartamente të vendosur në zonën e Shëngjinit, një dynym tokë në Porto Palermo dhe dy garazhe po në Shëngjin.

Sekuestrimi është bërë në kuadër të hetimit që ka nisur prej kohësh ndaj ish-gjyqtarit me akuzën e korrupsionit. Nga hetimet e deritanishme të SPAK rezulton se Zenelaj nuk justifikon pasurinë.

Guxim Zenelaj dha dorëheqjen nga drejtësia verën e vitit 2017, sapo i përfundoi mandati në Gjykatën e Lartë duke iu shmangur vettingut.

Zenelaj së bashku me Tomë Ndrecën, po ashtu ish-gjyqtar i Gjykatës së Lartë, i shkarkuar nga Vettingu për problemet me pasuritë, sikurse edhe ish-kolegët e tij Shkëlzen Selimi dhe Artan Zeneli që u panë nga Vettingu si fshehës të pasurisë dhe me mungesa të burimeve financiare ishin subjekt i një kallëzimi penal në SPAK nga avokati Fran Dashi.

Gani Dizdari është një emër tjetër që është mbajtur për kompetencë nga SPAK, ai ishte anëtar i gjykatës Kushtetuese dhe u shkarkua jo vetëm nga pasuritë e pajustifikuara, por edhe si subjekt i papërshtatshëm pas lidhjeve të ngushta me një shtetas të dënuar për ndikim të paligjshëm.

Gjithashtu në listën e të kallzuarve nga avokati Dashi gjenden edhe emra të tjerë të ish- anëtarëve të gjykatës së lartë, Guxim Zenelaj që dha dorëheqjen nga drejtësia verën e 2017 sapo i përfundoi mandati, Edmond Islamaj, i shkarkuar për pasuritë nga Kolegji i Posacëm i Apelimit si edhe Aleksandër Muskaj që mbylli karrierën e tij duke u dorëhequr pasi i skadoi mandati.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë