Interviste

Avokati që po ”provokon” SPAK

Cila është kupola e shkarkuar nga Vettingu nën hetim pas kallzimit të tij

Emrat e ish- gjyqtarëve dhe ish- prokurorëve të shkarkuar nga Vettingu u duk sikur ishin harruar nga organi i akuzës ndonëse ka pasur paralajmërime të ashpra per ndjekje penale ndaj tyre. Mirëpo avokati Fran Dashi i ka trazuar ujërat. Ai në adresë të prokurorisë së posaçme anti- korrupsion, njohur si SPAK, ka nisur një kallëzim.

Avokati Fran Dashi

Avokati i ka treguar për herë të parë gazetës “Si”arsyet:.

“ Më shtyu përballja e përditshme me të korruptuarit, po ndeshemi përditë me ta. Unë nuk kam bërë kallzim për të fituar azil politik, por dhashë kontributin tim si qytetar i këtij vendi në luftë ndaj korrupsionit. Por ndërkohë SPAK duhej të ishte angazhuar vetë dhe të niste hetimet, si mund të presësh nga qytetarët. Mirë unë që mora guximin, me të mirat e të këqiat e mia, kam edhe unë të metat e mia. Por kasta e vjetër e drejtësisë duhet të iki, ata kanë probleme, jo vetëm me korrupsionin por edhe përgatitjen. Ka të rinj që janë të përgatitur , të pakorruptuar duhet ti shërbejnë vendit. Kudo ku ata janë shkolluar në perëndim, ata duhet të merren për të ndihmuar rimëkëmbjen e drejtësisë”, thotë Frani

…..

 Ai ka mbajtur përherë profil të ulët dhe mendon që edhe SPAK nuk duhet të bëjë apele pasive duke ftuar qytetarët të denoncojnë, por të angazhohet siç duhet të ndodhte sipas tij në rastin e të gjithë atyre që u shkarkuan nga procesi i rivlerësimit. Por sidoqoftë me kallzimin e tij avokati ngjan se ka futur dorën në kosheren e grerëzave, për sa kohë denoncimi i tij për 20 personazhe të drejtësisë, ka sjellë jo vetëm batuta mes juristëve, por edhe reagimin zyrtar të SPAK-ut.

Avokati paralajmëron gjatë intervistës me gazetën Si se ,“e bëra këtë denoncim dhe kam edhe një listë tjetër, por do shoh si do procedojë SPAK. Nuk e di pse 10 i dërguan nëpër rrethe. Të  20-të duhet t’i mbante prokuroria antikorrupsion. Emrat e tyre do t’i bëj të njohur së shpejti, sapo ta përpiloj kallzimin e radhës.”

Të gjithë të kallzuarit prej tij janë të shkarkuar nga procesi i Vettingut ose kanë dhënë dorëheqjen. Ata janë emra me peshë që në kohë të ndryshme kanë dhënë vendime  të rëndësishme. Veç fshehjes së pasurisë avokati i denoncoi në SPAK të 20 të shkarkuarit e Vettingut edhe për mashtrim si dhe shpërdorim detyre. Në kallzimin e tij që  duket se vendosi në provë SPAK-un, avokati përmend se  ish- gjyqtarëve dhe ish- prokurorëve që ai ka kallzuar duhet t’u sekuestrohet pasuria.

Referuar vendimeve të zbardhura të KPK-së, tregohet qartë vijon më tej në kallzim Fran Dashi se “pjesa dërrmuese e të shkarkuarve nga Vettingu kanë kryer vepra penale”.

Gjatë javës pati një njoftim zyrtar nga prokuroria e posaçme që deklaroi se jo të gjitha kallzimet, pra jo të 20 të denoncuarit  janë nën kompetencën e prokurorisë së SPAK. Madje SPAK bëri publik edhe emrin e kallzuesit, si dhe numrin e referimit. Në njoftim përmendet se përveç 10 subjekteve për të cilët është vlerësuar se duhet të hetohen nga prokuroritë e zakonshme për të tjerët  me funksion ish- gjyqtarë të gjykatës së Lartë dhe ish -gjyqtarë të gjykatës Kushtetuese  është rregjistruar  procedimi penal  137 për mos deklarim dhe fshehje të pasurisë.

 Por avokati Fran Dashi nuk e shmang çudinë gjatë intervistës për gazetën “Si” duke shtuar: “Përse duhej të bëhej i ditur emri i kallzuesit, nuk kam frikë dhe nuk e kam problem pasi i kam menduar të gjitha kur dorëzova kallzimin. Por përse duhet ta tregonin emrin e denoncuesit?

Avokati shton se një praktikë e tillë do të frenonte qytetarët përsa kohë vetë SPAK ju bën ftesë atyre që të denoncojnë e të jenë aktivë në luftën kundër korrupsionit

Cilët janë të hetuarit e SPAK-ut?

Nëse do t'i referohemi kallzimit të avokatit, për shkak të cilësisë së subjekteve, në krye të listës qëndron emri i ish prokurorit të përgjithshëm Adriatik Llalla, në krye të akuzës në vend nga vitet 2012 deri në 2017. Megjithëse ai ka përfunduar nën akuzë në gjykatën e posaçme për fshehje të pasurisë në tre raste, mbetet për tu parë se si do veprohet nga SPAK, që siç kuptohet do t'i marrë gjetjet nga KPK. Edhe pse Vettingu u ndërpre për ish prokurorin e Përgjithshëm pas dorëheqjes së tij nga sistemi, pritet të çmohen rezultatet e organeve të Vettingut që përmes komisionerit publik kundërshtuan në shkallën e dytë pushimin e këtij procesi, por që në përfundim humbën dhe dorëheqja e Llallës nga sistemi u konsiderua si një e drejtë që mund të zgjidhej.

Bashkim Dedja është subjekti i dytë i kallzuar nga avokati. Me detyrë ish kryetar i Gjykatës Kushtetuese, ai u shkarkua në dhjetor 2018 për problemet e  tij me pasuritë. Edhe pse më herët ishte konfirmuar në detyrë, shkalla e dytë e konstatoi të pavend qëndrimin e Dedjes dhe çmoi që pretendimi i kryetarit të gjykatës Kushtetuese nuk qëndronte dhe se pasuritë e tij ishin më të mëdha nga sa ai justifikonte. Që prej largimit nga drejtësia Bashkim Dedja është angazhuar si avokat mbrojtës dhe ka përfaqësuar shumë klientë edhe në gjykatën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

 Tomë Ndreca, ish gjyqtar i gjykatës së Lartë, edhe ai i shkarkuar nga Vettingu për problemet me pasuritë, sikurse edhe ish kolegët e tij Shkëlzen Selimi dhe Artan Zeneli që u panë nga Vettingu si fshehës të pasurisë dhe me mungesa të burimeve financiare.

Gani Dizdari është një emër tjetër që është mbajtur për kompetencë nga SPAK, ai ishte anëtar i gjykatës Kushtetuese dhe u shkarkua jo vetëm nga pasuritë e pajustifikuara por edhe si subjekt i papërshtatshëm  pas lidhjeve të ngushta me një shtetas të dënuar  për ndikim të paligjshëm.

Gjithashtu në listën e të kallzuarve nga avokati gjenden edhe emra të tjerë të ish- anëtarëve të gjykatës së lartë, Guxim Zenelaj që dha dorëheqjen nga drejtësia verën e 2017 sapo i përfundoi mandati, Edmond Islamaj, i shkarkuar për pasuritë nga Kolegji i Posacëm i Apelimit si edhe Aleksandër Muskaj që mbylli karrierën e tij duke u dorëhequr pasi i skadoi mandati.

 I fundmi i denoncuar është ish- anëtari i gjykatës kushtetuese Besnik Imeraj, i cili e la drejtësinë me vullnetin e tij sapo nisi procesi i Vettingut duke pranuar detyrimin që për 15 vitet e ardhshme të mos ketë të drejtë të jetë pjesë e sistemit.

Emrat e tjerë për të cilët avokati i kërkoi SPAK të angazhohet pasi shikon probeme penale për ta janë gjithashtu ish anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Besnik Cami, shkarkuar nga Vettingu pak muaj pas shkalla e parë i kishte dhënë kartonin jeshil.

 Po ashtu në rrethe do të hetohet sipas njoftimit të SPAK që vlerëson se nuk ishin kompetencë territoriale e tyre edhe Ema Gashi, motra e Rovena Gashit, një gjyqtare në gjykatën e Durrësit që dha dorëheqjen nga detyra me justifikimin se dëshironte të mbronte të motrën në Vetting. Fatmir Lushi është gjithashtu një ish prokuror që mbante drejtimin e akuzës në Fier për deklarim të pasaktë të pasurisë, sikurse edhe Luan Dervishi që u dogj nga vetingu gjatë garës së tij për të marrë një karrige ose në gjykatën Kushtetuese ose në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Të gjithë këto emra së bashku me Besa Nikëhasanin e shkarkuar dhe Petrit Fusha, i dorëhequr do të jenë objekt i verifikimeve hetimore në prokuroritë e zakonshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë