Ka ndodhur

Sekuestrohen mbi 13 kg heroinë në autobusin e linjës Durrës-Bari, arrestohet pronari dhe shoferi

Dy persona janë arrestuar nga policia në Portin e Durrësit pas zbulimit të më shumë se 13 kilogramëve heroinë të fshehura në një autobus me destinacion Italinë.

Në pranga kanë rënë Mikel Pici, 32 vjeç, banues në Rrogozhinë, pronari i firmës së linjës së autobusëve “Durrës-Milano” dhe Piro Rushi, 57 vjeç, banues në Fier, drejtuesi i autobusit ku u gjet lënda narkotike.

Gjatë një kontrolli të imtësishëm forcat e policisë kanë gjetur të fshehura në pjesën e pasme të autobusit, 26 pako të mbështjella me natriban, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar heroinë me peshë totale 13 kilogramë e 750 gramë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në momentin e arrestimit, pronarit të linjës së autobusëve, Mikel Picit, iu gjet edhe një dozë e lëndës narkotike ‘kokainë’.

Në kuadër të operacionit u sekuestruan edhe 8 telefona celularë, ndërsa vijojnë hetimet për zbulimin e personave të tjerë të cilët mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Ndaj dy të arrestuarve rëndojnë akuzat për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë