Sasi të konsiderueshme monetare janë sekuestruar në 3 pika të ndryshme kufitare të Shqipërisë. Policia thotë se janë bllokuar 127.500 euro dhe 2 radio policie, ndërsa 2 shtetas të huaj dhe 1 shqiptar janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Në Morinë u sekuestruan 53.600 euro në hyrje të Shqipërisë, të cilat u gjetën në automjetin me drejtues D.D., 35 vjeç, banues në Rumani.
Në Muriqan u sekuestruan 40.000 euro, të cilat u gjetën në automjetin që drejtohej nga 37-vjeçari C.B., banues në Rumani. Në automjetin e tij janë gjetur edhe 2 radio si ato që përdor policia.
Ndërsa në Kapshticë u sekuestruan 33.900 Euro në dalje nga Shqipëria, të cilat u gjetën në automjetin e 40-vjeçarit K.Xh., 40 vjeç, banues në fshatin Zavalinë të Elbasanit.
Të tre këta persona u proceduan penalisht në gjendje të lirë për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.