Ka ndodhur

Sekuestrohen 763 celularë kontrabandë, mes 4 të arrestuarve edhe dy vëllezër

Gazeta Si - Policia në Tiranë ka sekuestruar 763 celularë kontrabandë gjatë një aksioni të koduar “Avoid” nga seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike.

Katër persona janë arrestuar, ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim. Të arrestuarit janë 2 vëllezërit F.K., 38 vjeç dhe E.K., 33 vjeç, pronarë të 5 dyqaneve për tregtimin e celularëve, si dhe D.M., 38 vjeç dhe I.B., 25 vjeçe, administratorë të 2 prej këtyre dyqaneve.

Ndërsa në kërkim u shpallën administratorët e 2 dyqaneve të tjera, F.I., 37 vjeç dhe R.M., 45 vjeç. Policia thotë se vëllezërit F.K., dhe E. K., për të shmangur detyrimet tatimore, i kishin regjistruar dyqanet për tregtimin e celularëve, në emër të të afërmve të tyre.

Gjatë kontrolleve në këto dyqane në rrugët “Hoxha Tahsim”, “Konferenca e Pezës” dhe në “Rrugën e Durrësit”, u sekuestruan 763 celularë të llojeve të ndryshme, të dyshuara të kontrabanduara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë