Ka ndodhur

Sekuestrohen rreth 2 ton ilaçe kontrabandë në Durrës, pas skemës fshihej punonjësja sociale e azilit

Një sasi të madhe medikamentesh që po tentonin të futeshin kontrabandë në vend është sekuestruar nga policia kufitare në portin e Durrësit.

Në një kontroll të ushtruar në automjetin me targa AA249NN, rezultoi se krahas mallrave të deklaruara, ishte dhe një sasi ilaçesh prej 1.950 kg ose 8.793 kuti me medikamente të ndryshme, të cilat kapin vlerën prej 119 mijë euro.

Këto medikamente nuk dispononin dokumentacionin përkatës për importimin e tyre në territorin shqiptar, ndaj u sekuestruan.

Mësohet se një punonjëse sociale në një azil në Itali, Age Biba, 56 vjeçe, nga qyteti i Matit, është arrestuar nga policia në lidhje me sekuestrimin e rreth 2 ton ilaçeve.

Ndërkohë është shpallur në kërkim Alfred Përleka, 33 vjeç, banues në Lezhë, me detyrë shef i Shërbimeve pranë Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Lezhë.

Sipas policisë, ilaçet e sekuestruara në Portin e Durrësit ishin ngarkuar në një depo për grumbullimin e ndihmave humanitare në Firence, Itali me qëllim transportimin e tyre drejt Shqipërisë. Personat e përfshirë në këtë skemë, kishin deklaruar se ilaçet ishin ndihma humanitare për një shoqatë në qytetin e Lezhës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë