Interviste

Sekerinska: Shtyrja e negociatave, shkelm për reformat në Shqipëri e Maqedoni!

A janë gati Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për shtyrjen e negociatave në shtator? Në një intervistë të dhënë gjatë një forumi sigurie në Bratislavë, ministrja maqedonase e Mbrojtjes Radmila Sekerinska deklaroi se shtyrja e negociatave me disa muaj do të vinte në rrezik të gjitha reformat dhe përparimet e arritura nga Shkupi dhe Tirana.

Raporti i Komisionit Europian për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ka treguar se të dyja vendet kanë bërë përparime të mëdha gjatë vitit të kaluar dhe ka rekomanduar hapjen e bisedimeve të pranimit. Topi tani është në portën e qeverive të Bashkimit Euripian, por Tirana dhe Shkupi duket se do të duhet të presin edhe për disa muaj të tjerë.

Sipas mediave gjermane, Bundestagu, nuk arriti të diskutojë hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në seancën e javës që lamë pas, gjë që do të thotë se qeveria gjermane do të duhet të presë deri në shtator, në fund të pushimeve veror. Por a është Maqedonia e Veriut gati për këtë lloj skenari?

Në një intervistë me “Europian Western Balkans”, Sekerinka thotë se nga Berlini vijnë lajme të mira dhe lajme të këqija. “Lajmi i mirë ishte se Bundestagu Gjerman ratifikoi protokollin e hyrjes në NATO-s, që do të thotë se shumica e anëtarëve të NATO-s tashmë kanë miratuar anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, pati edhe një diskutim nëse Parlamenti do të jetë në gjendje të vlerësojë dy Raportet e KE-së (mbi Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë) përpara mbledhjes së ardhshme të Këshillit të BE-së. Ekzistojnë konsultime të vazhdueshme mbi këtë çështje dhe ne vazhdojmë ti kujtojmë të gjitha vendeve të BE-së që ne kemi plotësuar të gjitha angazhimet tona dhe se presim të njëjtin angazhim nga BE-ja. Sipas nesh nuk ka asnjë justifikim që asnjë vend apo ndonjë politikan të mos mbështesë një vendim pozitiv”, shprehet ministrja maqedonase e Mbrojtjes.

Sekerinka ka paralajmëruar se deri në shtator situata në Ballkan mund të jetë shumë më e komplikuar dhe se një shtyrje tjetër e negociatave do të dëmtonte reformat e ndërmarra deri më tani. Sipas saj, Shkupi dhe Tirana mund ta paguajnë këtë vonesë duke bërë kompromise të dhimbshme.

Radmila Šekerinska

“Ne besojmë se çdo vonesë mund të dëmtojë procesin e integrimit europian. Duke folur në mënyrë racionale, mund të them se disa muaj nuk janë asgjë në krahasim me vitet që kemi pritur, por ajo që kemi mësuar është se gjatë vonesave mund të shfaqen rrethana të reja. Dhe ato mund të komplikojnë më tej mjedisin e integrimit europian”, shprehet ajo. "Kurrë mos e lër për nesër atë mund të bësh sot. Duke pasur parasysh përfshirjen e madhe të Gjermanisë në këtë proces, ne presim që ata do të jenë të interesuar të investojnë në një Ballkan më të qëndrueshëm. Ky mesazh do të dëgjohet jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në mbarë rajonin. Nuk e dimë ende nëse kjo vonesë do të paguhet duke bërë kompromise të dhimbshme, apo nëse do të paguhet duke investuar në reforma serioze. Nuk kam asnjë dyshim se reformat e brendshme ishin para së gjithash për qytetarët tanë, por kishte një ekuilibër të caktuar mes pritshmërive që BE-ja kishte ndaj nesh dhe pritshmërive që ne kishim ndaj unionit”, thotë Sekerinka.

Sipas raportit të fundit të Komisionit Europian, Maqedonia e Veriut ka bërë përparim në pothuajse të gjitha fushat ku BE është e interesuar. E pyetur se si arriti qeveria e Maqedonisë së Veriut këtë, Sekerinka tregon se kryeministrit Zoran Zaev i është dashur të bëjë zgjedhje të vështira politike.

“Ne kemi trashëguar një shtet të kapur në të gjitha fushat kryesore demokratike: media, sundimi i ligjit, gjyqësori dhe ekonomia. Ne nuk i kemi filluar bisedimet e pranimit vite më parë për shkak të çështjes së emrit, por ndërkohë, situata është përkeqësuar aq shumë sa që shumë njerëz brenda BE-së dhe brenda vendit po pyesin nëse plotësohen kriteret bazë politike. Ne kemi lëvizur nga një shtet i kapur në një shembull për vendet e tjera të Ballkanit në praktikisht më pak se dy vjet, sepse e dinim që vendi ynë nuk kishte më kohë për të humbur. Tre dekada të humbura janë lënë tanimë prapa krahëve”, shprehet ministrja maqedonas e Mbrojtjes.

Megjithatë, Sekerinka tregon se reformat e brendshme nuk u zbatuan vetëm për shkak të BE-së dhe NATO-s, por edhe për të fituar mbështetjen e qytetarëve të vendit të fqinj, të cilët ishin lodhur nga regjmi i ish-kryeministrit Nikolla Gruevksi.

“Ne kemi arritur të sigurojmë një shumicë qeveritare dhe të fitojmë mbështetjen e shumë individëve në vend, sepse ishin pikërisht ata që kërkuan ndryshimin. Pra, reformat në fushën e mediave, sundimin e ligjit, kontrollet dhe balancat, institucionet profesionale, ishin para së gjithash përgjegjësia jonë ndaj votuesve. Dallimi i vërtetë erdhi me marrëveshjet me Bullgarinë dhe Greqinë për çështje që dukeshin të pakapërcyeshme, por ajo që duhej ishte vendosmëria dhe vullneti i qartë politik në emër të tre vendeve, tre kryeministrave dhe qeverive të tyre”, thotë ajo.

Sipas Sekerinkës, mënyra e vetme për të çuar përpara këto reforma është hapja e bisedimeve me Bashkimin Europian.

Radmila Šekerinska dhe Zoran Zaev

Natyrisht, nuk po flasim për hyrjen në Bashkimin Europian, po flasim për fillimin e bisedimeve të pranimit, pra për të hyrë në rrugën që ka transformuar vendet e Europës Qendrore dhe Lindore. Hyrja në atë udhë do të thotë se ne nuk do të flemë, se do të ketë më shumë punë në vitet që vijnë. Por me ndihmën, udhëzimet dhe nganjëherë me kritikat e Komisionit Europian, do të bëjmë përpara”, deklaron ministrja.

Sipas saj, Shkupi do të duhet të punojë më shumë për sundimin e ligjit dhe krijimin e institucioneve të fuqishme dhe të pavarura, por se asnjë përparim nuk do të jetë i mundur nëse BE-ja vendos të mbyllë dyert.

Sekerinka thotë gjithashtu se Maqedonia e Veriut e meriton hapjen e bisedimeve pasi është i vetmi vend në rajon që nuk ka çështje të hapura me asnjë nga fqinjët.

“Ne kemi zgjidhur të gjitha sfidat kufitare, dhe ne jemi përpjekur shumë gjatë dy viteve të fundit që të mos përqendrohemi vetëm në problemet, por me të vërtetë të angazhohemi në një bashkëpunim serioz rajonal me të gjithë aleatët tanë. Ne kemi pasur mbledhje të përbashkëta qeveritare me disa fqinjë, së shpejti do të kemi një sesion të përbashkët qeveritar me Kosovën dhe unë pres që të kem një sesion të përbashkët qeveritar me Serbinë, sepse mendoj se të dy vendet ndajnë shumë interesa të ngjashme. Duke pasur parasysh lidhjet ekonomike, tregtare dhe gjithashtu politike, mendoj se ka ardhur koha për të ecur përpara”, përfundon ministrja maqedonase e Mbrojtjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë