Nga Gazeta 'SI' - Banka e Shqipërisë ka ndryshuar narrativën e saj për lëizjet e kursit të këmbimit dhe i ka bërë thirrje qeverisë për të ‘aktivizuar’ mekanizmat e saj fiskalë, për të ndaluar përdorimin masiv të euros.
“Nuk duhet të përdoret, ne duhet ta ndalojmë sa më shpejtë të jetë e mundur. Ne jo vetëm që duhet të ndalojmë përdorimin e monedhës së huaj sikurse ndodh në të gjithë botën, por ne duhet të përdorim lek në vend të euros. Ne jemi ekonomi shumë e euroizuar, 50/50. Institucionet e fiskut, institucionet fiskale dhe ne duhet ta ndërpresim përdorimin e euros, dhe ta bëjmë të detyrueshëm vetëm përdorimin e lekut brenda territorit të Republikës së Shqipërisë,” tha Guvernatorit i BSH-së, përballë Kuvendit.
Guvernatori Sejko, shprehu shqetësimin, se e vetme, Banka e Shqipërisë nuk mund të mbajë dot një kurs të stabilizuar.
“Asnjëherë nuk ke besë kursi i këmbimit është shumë djallëzor, dhe i pabesë. FMN ngriti një alarm që mund të ndodh dhe e kundërta dhe kursi të kthehet në kahun e zhvlerësimit të lekut. Me flukset hyrëse në kursin e këmbimit të euros nëse do të vazhdojnë flukse valutore të rritura, Banka e Shqipërisë do ta ketë të pamundur të mbajë një stabilitet në kurs”, tha drejtuesi i BSH-së.
Sejko ripërsëriti rolin e parasë informale në zhvendosjen e kursit të këmbimit dhe theksoi se në një vit monedha europiane është zhvlerësuar me 20% kundrejt lekut.
“Vjet kemi pasur 6 miliardë euro të hyra formale, por sidoqoftë ne nuk e kemi mohuar kurrë edhe prezencën e parasë informale përsa kohë kemi nivel të lartë informalitetin në ekonomi. Për këtë arsye ekziston edhe paraja informale që mund të vijë nga burimet kriminale, evazioni fiskal ose edhe të tjera,” deklaroi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.