Shendet

Seancë për pandeminë, Manastirliu flet vetëm 5 minuta: Po punojmë për vjeshtën

Nisur nga Akti Normativ që lidhet me disa masa të veçanta administrative gjatë periudhës së Covid-19, propozuar nga vetë dikasteri që ajo drejton, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, foli shumë pak.

Sepse nuk kanë aq rëndësi gjobat e probaganduara më herët nga mosrespektimi i detyrimit të mbylljes së klubeve të natës, diskove apo shërbimeve të kësaj natyre, që do të hyjnë në fuqi vetëm pas kalimit në Kuvend të Aktit, sesa vetë masat që ministria po ndërmerr në kuadër të pandemisë në vendin ku të gjithë japin llogari, Kuvendi.

Legjislativi i mbyll punimet për këtë sesion. Nesër janë ndryshimet kushtetuese. Nuk ka me seancë për pandeminë (të paktën këtë sesion)

Ministrja Ogerta Manastirliu foli për situatën e pandemisë vetëm pak minuta, jo nga foltorja e Kuvendit për tu zgjatur konkretisht, por nga vendi i saj, aty ku rrinë gjithë ministrat. Për të thënë vetëm se po punohet, se ka një plan masash edhe për vjeshtën, por se çfarë konkretisht nuk tha.

Fillimisht, Manastirliu nënvizoi atë që po thuhet përditë  (më shumë përmes intervistash të kërkuara nga media me epidiomologë) se; klubet e natës u kthyen në vatra të përhapjes së infeksionit dhe se do të ndërmerret cdo masë e nevojshme për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve.

“Vendosja e penaliteteve të shtuara për klubet e natës, diskove apo çdo lloj shërbimi të kësaj natyre të cilat kanë pasur detyrimin në fakt që në krye të herës për të mos u hapur, është një masë që ndërmerret për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Sepse ato janë kthyer në vatra potenciale infeksioni. Të rinjtë po bëhen vektorë të shpërndarjes së infeksionit tek moshat e tjera, tek prindërit dhe tek të moshuarit apo tek ata më të dobëtit.  Detyrimi që vendoset tani nëpërmjet këtij Akti Normativ, jo vetëm përcakton rritje të masës së penalitetit por gjithashtu vlerëson një pezullim për një periudhë 1-vjeçare në rastet kur këto subjekte nuk i binden këtij ligji”, tha ajo.

Më tej, Manastirliu kaloi tek ajo që sot po ka shumë rëndësi, plani i masave për vjeshtë-dimrin, në rast të rritjes së numrit të rasteve.

Se çfarë konkretisht në planin strategjik, Manastirliu nuk shpjegoi.

“Ndërkohë jemi duke u përgatitur për periudhën e vjeshtës dhe për periudhën e dimrit për të menaxhuar situatën, pasi, nëse do të kemi një neglizhim të zbatimit të masave, duhet të parapërgatitemi për një rritje të infeksionit të Covid19.

Jemi duke punuar për të fuqizuar akoma më shumë skuadrat lëvizëse tek Urgjenca Kombëtare, në funksion edhe të dhënies së shërbimit në banesë për qytetarët që kanë nevojë apo për ata të cilët do të kenë nevojë në të ardhmen.

Po fuqizojmë kapacitetet tona spitalore universitare edhe ato rajonale. Gjithashtu jemi duke përgatitur skuadrat e rezervës për hapjen e spitaleve Covid 3 dhe Covid 4. Ndërkohë që vijojmë të rrisim kapacitetet e testimit”.

Me ndryshimet në Aktin Normativ, mosrespektimi i detyrimit të mbylljes së klubeve të natës, diskove apo shërbimeve të kësaj natyre, dënohet me gjobë 3 000 000 lekë dhe me pezullim të aktivitetit për një periudhë një vjeçare.

Ndërsa mos respektimi i detyrimit për ndalimin e muzikës pas orës 20:00 në shërbimet e cdo lloji, dënohet me gjobë 1 000 000 lekë dhe në rast përsëritje, me pezullim te aktivitetit për një periudhë gjashtë mujore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë