Bota

Scholz dhe Vuçiç takohen në Gjermani për litiumin

Nga Gazeta ‘Si’ – Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, vizituan së bashku Autoritetin e Minierave Saksone në Freiberg të Gjermanisë.

Në fokus të bisedimeve është nxjerrja e qëndrueshme e litiumit.

Litiumi – tema e përbashkët

Si në Serbi, ashtu edhe në landin gjermanolindor të Saksonisë, supozohet të ketë sasi të mëdha të litiumit. Minerali është një komponent kyç për prodhimin e baterive të automjeteve elektrike. Projekti sakson synon të prodhojë rreth 12 000 tonë hidroksid litiumi në vit për një periudhë prej 35 vitesh, duke kontribuar në prodhimin e baterive për rreth 600 000 automjete elektrike çdo vit.

Shumë më e madhe është sasia e litiumit që planifikohet të prodhohet në Serbi: 58,000 ton litium në vit. Kjo sasi mund të mjaftojë për rreth 1.1 milionë automjete elektrike – afërsisht 17% të kërkesës evropiane.  

Përparësi për kompanitë evropiane të automjeteve

Më 19 korrik 2024, Bashkimi Evropian dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje për nxjerrjen e litiumit në Luginën Jadar në Serbi. Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe nënkryetari i atëhershëm i Komisionit Evropian, Marosh Shefçoviç.

Angazhimi i Gjermanisë në marrëveshjen për litiumin me Serbinë është rezultat i një strategjie të koordinuar nga qeveria gjermane dhe Bashkimi Evropian, me qëllim sigurimin e burimeve të qëndrueshme të litiumit për industrinë evropiane të automjeteve elektrike dhe reduktimin e varësisë nga importet kineze.

Gjermania partneri kryesor i investimit

Por Gjermania mund të shërbejë jo vetëm si blerëse e litiumit, por edhe si përpunuese e tij direkt në vend. Në një fjalim të mbajtur më 4 dhjetor në Cyrih, presidenti Aleksandar Vuçiç theksoi se dëshiron që lituimi të përpunohet në vend. Në një intervistë për median gjermane, në korrik të këtij viti, presidenti serb, ishte shprehur se po bën marrëveshje me korporata automobilash si Mercedes-Benz, Volkswagen dhe Stellantis për qasje të këtyre në litium për bateritë e makinave. Shumë prej këtyre kompanive kanë kohë që kanë paralajmëruar se do të mbyllin fabrika në vend për të hapur të tjera gjetkë, në Evropën Lindore.

Fabrika të reja të kompanive të mëdha gjermane në Serbi do ta forconin edhe më shumë raportin mjaft të fortë ekonomik mes Serbisë dhe Gjermanisë. Gjermania është një partnere e rëndësishme ekonomike e Serbisë. Sipas të dhënave të Odës Ekonomike Gjermano-Serbe (AHK) në Beograd, kompanitë me kapital gjerman kanë hapur rreth 80 000 vende pune në Serbi, duke e bërë Gjermaninë ndër investitorët më të mëdhenj të huaj në vend për sa i përket numrit të vendeve të punës. 

Takimi i vjen në dobi edhe kancelarit aktual dhe kandidatit për kancelar në zgjedhjet 2025, Olaf Scholz, për të përmirësuar popullaritetin e tij ende të dobët në sondazhe dhe për të dëshmuar se po kërkon zgjidhje për të ndihmuar industrinë e automobilëve gjermanë për të dalë nga kriza./


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë