Editorial

Sali Berisha nuk ka ikur, sapo nisi largimi i tij, Edi Rama ka në dorë vijimin

Sali Berisha nuk do të jetë më pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, por kjo nuk do të thotë se ai nuk është në PD. Berishën e hoqën, por nuk ka ikur. 
Ai është lideri historik i PD-së me rrënjë të thella politike dhe pushteti. Është një themel i fortë  i ngrehinës së PD- së edhe pse fasada e saj ka nisur të marrë ngjyrat e një grupimi të ri me Bashën në krye. Heqja e këtij themeli pa riforcuar të rejat mund të sjell  krisje brenda partisë opozitare dhe do të shembë disa mure apo ku i dihet edhe dhe kollona mbajtëse. 


A do t’i rezisoj kjo shtëpi politike shembjes që erdhi nga forca amerikane për të mos lejuar Sali Berishën në parlament si person non-grata në SHBA për akte korrupsioni që minojnë demokracinë. Kjo mbetet e hapur. Së pari sepse vetë Berisha ka lënë një derë hapur se në rast të një vendimi përjashtues ndaj tij ai do të përpiqet të rimarrë partinë. Ndoshta ajsbergut Berisha i ka shkrirë maja, por pjesa më e madhe nën ujë e profilit dhe pushtetit të tij mund të jetë ende e fortë dhe e rrezikshme për partinë më të madhe opozitare të shqiptarëve.


Që shtëpia e demokratëve pa Berishën të rezistojë duhet që së pari vendin bosh në themelet e saj të mbushet me material po aq të fortë sa Berisha dikur dhe që Basha, i cili deri vonë e kishte të vështirë të merrte vendime poltike pa babain politik, do ta ketë të vështirë. Së pari nga vetë demokratët brenda PD-së, që janë idhëtar dhe mbështetës të Sali Berishës. Ndaj atij i duhet një ndihmë nga jashtë. Së pari nga amerikanët. Ata e kanë ndihmuar atë për të larguar Berishën, por nuk kanë aq fuqi sa mund të ketë një palë tjetër brenda vendit që është Edi Rama me maxhorancën.
Nëse Edi Rama dhe socialistët nuk e duan më Berishën duhet ta ndihmojnë Bashën dhe ta ruajnë Partinë Demokratike nga shembja, përtej interesit elektoral. Së paku të pranojnë ofertën e tij të fundit kur tha se e dha Berishën “për t’i hequr alibinë cilitdo për të mbrojtur të keqen e vetme të Shqipërisë që është keq-qeverisja dhe korrupsioni 8 vjeçar i Edi Ramës”.


Edi Rama posaçërisht duhet ta pranojë këtë ofertë sikundër demokratët bënë me të, kur socialistët dorëzuan Nanon. Ai duhet të pranojë se nuk mund të luftojë me PD si me Berishën brenda. Në të kundërt, fenomeni Berisha do të jetë një ajsberg që mund të godas edhe anijen e socialistëve. Të dyja palët kanë nevojë që të largohen nga Berisha për të shpëtuar edhe nga e shkuara konfliktuale që i ka lodhur shqiptarët duke pasur përpara një fushë të re bashkëpunimi mes tyre. Le ta shikojnë lajmin e sotëm që vjen nga Basha si një të mire së ardhmes së gjithë shqiptarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë