Drejtësia

Sali Berisha mbetet në arrest, GJKKO: Shkeli masën e sigurisë, futi në banesë ish-eurodeputetin Brook dhe gazetarët e RAI-it

Gazerta Si- Vizitat në banesë gjatë periudhës së qëndrimit në “arrest shtëpie” si masë sigurie për aferën e privatizimit të klubit sportiv “Partizani”, i kanë hapur probleme ish-kryeministri Sali Berisha.

Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e tij dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezit për masë më të butë sigurie, nga “arresti shtëpiak” në “detyrim paraqitje”.

Një nga arsyet që gjykata nuk e aprovoi kërkesën e Berishës në seancën e së martës është edhe thyerja e masës së sigurisë së “arrestit në shtëpi” nga ana e ish-kryeministrit, duke shkelur vendimin e gjykatës.

Prokurorët e SPAK-ut kanë paraqitur disa linqe të mediave, me pretendimin se Berisha ka shkelur masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, duke futur në banesë njerëz të paautorizuar dhe ka kontaktuar me ish-euro-deputetin gjerman Elmar Brok (i cili mbajti dhe një fjalim nga dritarja e ish-kryeministrit) dhe gazetarët italianë të RAI-t, të cilët kishin bërë një raportazh disa javë më parë.

Prokurorët kanë dhënë si argument faktin që Berisha nuk po e respekton as masën e sigurisë që i është vendosur dhe kanë refuzuar kërkesën për heqjen e saj.

Ndërsa pretendimin e SPAK-ut në seancë, se Sali Berisha ka shkelur masën e “arrestit të shtëpisë”, duke futur në banesë ish-eurodeputetin Elmar Brok dhe gazetarët italianë të Rai 3, avokati Gjokutaj e konsideroi si lajthitje.

“Sali Berisha ka që në në datën 30 dhjetor pa dalë nga dera këta thonë ka thyer arrestin në shtëpi. Lajthitja e gjykatës dhe SPAK është e tillë që nuk afekton aktivitetin e kryetarit të opozitës”.

Ndërkohë, në relacionin që i bënë gjyqtares Irena Gjoka për përjashtim të saj nga kjo çështje, kjo e fundit nuk mohon ekzistencën e faktit të vendimit administrativ grek, por thotë se shkaqet e ngritura nga mbrojtja e të akuzuarve, nuk përfshihen në kategorinë e arsyeve që sjellin kërkesën për përjashtim.

Avokati i Berishës, Genc Gjokutaj, e argumentoi kështu refuzimin e kërkesës për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.

“Gjykata vendosi të vijojë masën e arrestit shtëpiak. Sot kemi dëgjuar pataksira në seancë. Po sot kemi marrë një kopje të vendimit të kësaj gjykate për rrëzimin e kërkesës tonë për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka”, u shpreh avokati.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë