Dosje

Saga e një apartamenti 60 metra katror e ish kryegjyqtarit Dedja  

Konfiskimi i apartamentit të ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, një vendim që mbyll një kapitull të gjatë gjyqësor

Gazeta Si – Me një vendim të formës së prerë, Gjykata e Posaçme e Apelit ka urdhëruar konfiskimin e një apartamenti në pronësi të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, duke vulosur një proces të gjatë gjyqësor që e shoqëroi për vite me radhë.

Është një apartament me sipërfaqe 60 metra katrorë, i ndodhur në zonën e plazhit të Golemit, i cili ishte sekuestruar më herët me vendim të Shkallës së Parë në prill të vitit 2025. Dedja e kishte kundërshtuar këtë vendim, por Apeli e la në fuqi konfiskimin, duke arsyetuar se pasuria nuk justifikohet me burime të ligjshme.

Sipas prokurorisë speciale, ish-kreu i Kushtetueses kishte fshehur këtë apartament në formularin e vetëdeklarimit të pasurisë, një shkelje që e çoi atë të bëhej gjyqtari i parë i nivelit të lartë që u dënua nga drejtësia e posaçme, pas dështimit në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve.

Një betejë e gjatë me drejtësinë

Në shtator të vitit 2024, Dedja iu drejtua Gjykatës së Lartë duke kërkuar pafajësinë dhe shfuqizimin e dënimit të dhënë nga dy shkallët më të ulëta të gjyqësorit për fshehje dhe mosdeklarim pasurie. Pak muaj më herët, Gjykata e Apelit e kishte dënuar me gjashtë muaj burg, dënim që u konvertua në një vit shërbim prove.

Edhe pse në fazën e parë të rivlerësimit ai kishte kaluar pa probleme, çështja u rihap në shkallën e apelit, ku u vlerësua se Dedja ishte i lidhur me apartamentin në Golem përmes një kontrate furnizimi me energji elektrike, ndonëse pasuria pretendohej se ishte në emër të të vëllait të tij. Vendimi i parë u rrëzua pas ankimimit të Komisionerit Publik, me mbështetjen e monitoruesve ndërkombëtarë, të cilët argumentuan se pasuria nuk ishte provuar si e ligjshme.

Pavarësisht vendimeve gjyqësore, Dedja ka mbajtur një qëndrim mohues ndaj akuzave, duke i cilësuar ato të pabazuara.

Nga konsensusi politik, te përplasja institucionale

Bashkim Dedja u emërua kryetar i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2012, duke pasuar Vladimir Kriston. Kandidatura e tij u mbështet fillimisht nga mazhoranca e djathtë dhe më pas gjeti mbështetje edhe nga mazhoranca socialiste, e cila votoi pro dekretit të presidentit të asaj kohe, Bujar Nishani.

Rivendosja e tij për një mandat të dytë u miratua me një konsensus të plotë parlamentar, pa asnjë votë kundër. Në atë kohë, ky mbështetje u interpretua si vlerësim për punën e tij në krye të institucionit më të lartë kushtetues.

Megjithatë, gjatë qeverisjes socialiste, Gjykata Kushtetuese mori një sërë vendimesh që rrëzuan ligje dhe akte të rëndësishme të qeverisë, duke e përplasur shpesh institucionin me ekzekutivin. U shfuqizuan vendime që lidhnin qeverinë me ndërhyrje në ndërtimet pa leje, ndryshime në ligjin e nëpunësit civil, kontribute shoqërore për profesionistët e lirë, kompensimin e pronarëve dhe licencimin e tregtimit të naftës.

Vetë Dedja doli publikisht kundër ndryshimeve ligjore që prekën mënyrën e zgjedhjes së drejtuesve të sistemit të drejtësisë, duke e thelluar më tej përplasjen me mazhorancën.

Ligji i Vettingut dhe presioni ndërkombëtar

Gjykata Kushtetuese, nën drejtimin e Dedjës, u vu në qendër të debatit politik dhe ndërkombëtar edhe për ligjin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pas padive të paraqitura nga Unioni i Gjyqtarëve dhe Partia Demokratike, gjykata vendosi pezullimin e përkohshëm të zbatimit të ligjit.

Ky vendim shkaktoi reagime të forta nga mazhoranca dhe partnerët ndërkombëtarë. Çështja u shqyrtua në një klimë të pazakontë, ku në sallën e gjyqit ishin të pranishëm edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara dhe përfaqësuesja e Bashkimit Europian.

Në fund, Gjykata Kushtetuese refuzoi kërkesën e qeverisë dhe vendosi t’i drejtohej Komisionit të Venecias për një opinion, një hap që u interpretua si përpjekje për të ruajtur balancën institucionale në një moment kritik për reformën në drejtësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë