Nga Gazeta Si- Atentati me tre të vrarë në Memaliaj ka si pistë hakmarrjen, ku vitet e fundit ka pasur një valë ekzekutimesh pas vrasjes së Aleksandër Sadikaj fillimisht dhe më pas të Edmond Papës. Dyshohet se objektiv i vrasjes në Memaliaj ka qenë babai i Andrea Kalemit.
Vrasja e trefishtë në Memaliaj, dyshohet se është kryer për hakmarrje, e cila e ka zanafillën në vitin 2022 kur kanë nisur edhe përplasjet mes dy grupeve dhe kanë marrë deri më tani 7 jetë njerëzish nga Athina në Tiranë.
Lidhja e familjes Kalemi me Aleksandër Sadikaj
Vetëm dy ditë para se të ekzekutohej në 11 qershor 2022 në Tiranë, shumë pranë rreth rrotullimit të TEG, Alekandër Sadikaj, ka qënë në qytetin e Sarandës.
I riu rezulton të ketë fjetur pikërisht në hotelin që ishte në pronësi të Edmond Papës dhe vëllait të këtij të fundit Kristo Qirici. Kjo marrëdhënie por dhe dëshmi të mbledhura nga policia, ka faktuar se Sadikaj dhe Edmond Papa njiheshin mirë me njëri-tjetrin.
Kjo marrëdhënie u prish për shkak të borxheve që lidheshin me blerjen e hashashit.
Pas vdekjes tragjike së Sadikaj në qershor të 2022, ku makina e tij shpërtheu në ecje e sipër në rrugën e Saukut, Edmond Papa ishte emri kryesor që u përfol si porositësi dhe organizatori i vdekjes së tij.
Familjarë të viktimës Aleksandër Sadikaj kanë pasur dyshime të vazhdueshme se vrasja e Sadikaj është organizuar në qytetin e Sarandës, pikërisht në hotelin ku ai kishte fjetur dy ditë para se të ekzekutohej me tritol në makinë.
Në vazhdim të këtyre dyshimeve, familjarët dhe persona të rrethit shoqëror të Aleksandër Sadikajt, janë angazhuar privatisht për të mësuar detaje me qëllim hakmarrjen për vrasjen e personit të tyre të afërm, ku Edmond Papa, ka qenë njeriu kryesor i dyshuar si autor dhe organizator i këtij krimi të rëndë të ndodhur në 11 qershor 2022.
Në dhjetor të 2022 i bëhet atentat Edmond Papës. Ndërsa ai ndodhej në Tiranë për të vizituar nënën e tij, ekzekutori e ka ndjekur gjatë gjithë kohës dhe në momentin që Papa është ulur në një lokal, ekzekutori i ka shkuar pranë tavolinës dhe e ka qëlluar me 9 plumba.
Më 11 qershor 2022 - Aleksandër Sadikaj, kushëri me familjen Kalemi vritet në një shpërthim me telekomandë. Sadikaj, i njohur me nofkën "Sanço", po lëvizte me makinë në aksin e njohur si Sauk-TEG. Autorët dyshohet se kishin vënë një sasi të konsiderueshme prej 150 gramësh tritol të komanduar me telekomandë, në pjesën e përparme të makinës e cila është aktivizuar gjatë lëvizjes.
6 muaj më pas vritet në Tiranë biznesmeni sarandiot Edmond Papa. Vrasja, kjo e dyshuar si hakmarrje për vrasjen e Sadikajt. Për ekzekutimin e tij i arrestuar është shoku i Andrea Kalemit, Albano Velo, ndërsa në kërkim është shoku tjetër Andrew Bode. Në dosjen hetimore përmendet edhe emri i Kalemit.
Ndërkohë dy ditë pas vrasjes së Papajt në Tiranë, në 18 dhjetor 2022, dy shqiptarë të tjerë Kreshnik Çerçizaj, 41 vjeç dhe Armando Organja, 44 vjeç, janë ekzekutuar me armë zjarri në një lokal në Athinë.
Pas vrasjes së Edmond Papës, fillojnë atentatet ndaj familjes Kalemi.
Më 9 gusht 2023 - Andrea Kalemi i shpëton atentatit në ishullin Pax të Greqisë, teksa kishte shkuar me pushime me 3 fëmijët dhe gruan e tij.
Më 14 dhjetor 2023 - Andrea Kalemi plagoset me thikë në burgun “Koridhalos” në Greqi. Autori sipas mediave greke kishte qenë një 28-vjeçar egjiptian.
Më 8 janar 2024 - Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet dhe dorëzon në gjykatë dosjen penale ndaj Andrew Bodes dhe Albano Velos. Prokuroria thotë se Papa dyshohet se u vra në shenjë hakmarrje për vrasjen e Aleksandër Sadikajt.
4 ditë më pas, më 12 janar, tentohet të vritet vëllai i Andrea Kalemit. Ngjarja ndodhi në orët e mbërmjes pranë zones së Selitës, ku nga një makinë në lëvizje u qëllua me kallashnikov drejt Smartit me të cilin po udhëtonte Zamir Kalemi. Fatmirësisht asnjë prej plumbave nuk kapi organe jetike, ai u plagos vetëm në këmbë.
Më 21 korrik 2024 duket se plani për hakmarrje ka vijuar duke vendosur si objektiv babain dhe xhaxhain e Andrea Kalemit.
Breshëria e plumbave të derdhur në drejtim të tavolinës ku ishte ulur Shyqo Kalemi, i morën jetën këtij të fundit, la të plagosur vëllain e tij Arturin, si edhe la të vdekur edhe kamarierin e lokalit dhe një klient tjetër, të pafajshëm në gjithë këtë histori hakmarrjeje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.