Drejtësia

Safet Bajri kërkon lirimin me kusht kur i kanë mbetur edhe 10 muaj burg

Gazeta Si - Safet Bajri kërkon të lërë qelinë para kohe, kur i kanë mbetur edhe 10 muaj burg.

Një prej emrave të njohur të botës së Krimit në Shkodër, ka paraqitur në gjykatë kërkesën për lirimin nga burgu, pasi pretendon se ka kryer 2/3 e dënimit.

Ai pretendon se i kanë mbetur për të shlyer edhe 10 muaj dënim, pasi nga 9 vite, 3 vite burgim i ka kryer në Bruksel dhe vitet e tjera i ka shlyer deri më tani në qelitë e burgut 302 në Tiranë, në burgun e Fierit dhe atë të Shkodrës.

Çështja është nën shqyrtim dhe ende nuk është shpallur vendimi. I “forti” i Shkodrës, pjesë e grupit kriminal Bajri, ka kërkuar lirimin me kusht duke i garantuar drejtësisë se nuk do të përfshihet më në krime.

Kjo është kërkesa e dytë për lirim me kusht, pasi herën e parë Gjykata e Fierit vendosi të mos pranojë kërkesën e tij.

Bajri rezulton i dënuar me 9 vite burgim nga Drejtësia Belge, për akuzën e “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Organizatës kriminale”, “Vjedhje në rrethana rënduese”.

Por kjo masë dënimi është duke u vuajtur nga Ilir alias Safet Bajri në burgjet shqiptare, pasi Gjykata e Shkodrës vendosi të njohë dënimin e drejtësisë Belge.

Safet Bajri u arrestua në Tiranë në shtator 2018, me kërkesë të autoriteteve belge. Në Belgjikë ai është dënuar dy herë, fillimisht, në vitin 2015 me 9 vjet burg, dhe pastaj në vitin 2017 me 13 vjet burg. Sipas policisë belge, Safet Bajri ka qenë njeriu që kontrollonte tregun e prostitucionit në Bruksel.

Ilir Bajri, vëllai i Safetit, Ismet Idrizi dhe Asmer Bilali u arrestuan më 6 shtator 2018, në Shkodër pas aksionit policor të koduar “Oaz”.

Aktiviteti i bandës “Bajri” shtrihej në Belgjikë, Holandë dhe Itali.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë