Gazeta Si – Pas Luiza Gegës, kryeministri Edi Rama njoftoi një tjetër pritje speciale. Për Florian Markun. Atletja jonë u shpall kampione Europe në Mynih pak ditë më parë, kurse boksieri me origjinë nga Lushnja fitoi…
Çfarë fitoi?! Për momentin askush, ndoshta edhe vetë Floriani, nuk di t’i japë një shpjegim të qartë se çfarë fitoi realisht boksieri në ndeshjen shou të “Air Albanias’, ku morën pjesë edhe shumë reperë të njohur, ndryshe nga Luiza, që nuk kishte asnjë të tillë në krah.
Dhe për të hequr shenjën e barazisë mes këtyre dy peronazheve nuk do të guxonte as fansi më i çmendur i boksit, i çfarëdolloj kategorie të tij, profesioniste apo amatore.
Deri të enjten në mbrëmje, kur Florian Marku me flamurin kuqezi festonte në ‘Air Albania’, të gjithë përshëndetën fitoren e tij, edhe pse të paqartë për simbolikën e gjerdanit që boksieri fitoi atë ditë, në teori titulli WBC. Ishte thjesht tifo për një shqiptar kundër një të huaji.
Sepse për Shqipërinë ajo fitore nuk është asgjë. Florian Marku nuk merr pjesë në asnjë aktivitet kombëtar dhe nuk e ka përfaqësuar asnjëherë vendin në asnjë aktivitet ndërkombëtar. As në Europian, as në Botëror, as në Ballkaniadë, as në Lojëra Mesdhetare dhe as në Lojëra Olimpike.
Ai gjerdan është thjesht dhe vetëm personal i boksierit shoumen. Me medaljen e artë të Luiza Gegës nuk ka asnjë lidhje. E meqë Marku bëri sikur fitoi ndonjë sfidë të madhe, edhe shqiptarët bënë sikur ishte kështu…
Por situata u trazua jo pak një ditë më pas, kur kreu i qeverisë paralajëmroi pritjen speciale për Markun, me të cilin ishte takuar dhe kishte bërë foto edhe para ndeshjes. Pritje si të Luiza Gegës! Dhe këtu pastaj nuk mund të qëndrohet indiferent.
A e meriton Marku një pritje si të Gegës? Çfarë vlere ka realisht fitorja e tij, sepse boksieri nuk mori asnjë lloj medalje për Shqipërinë… Rezultatin më të mirë në historinë e boksit shqiptar e ka arritur Alban Beqiri, i treti në botë dhe kampion Ballkani. Ngriti flamurin shqiptar në Beograd, por asnjë pritje speciale për të.
Kur është i paqartë për fitoren e Markut edhe trajneri i Kombëtares së boksit, Zef Gjoni, imagjinohet lehtë si është realisht situata. “Jam i paqartë, – tha Gjoni. – Kemi boksierë më të mirë, Alban Beqiri dhe Denis Nurja’.
Gjoni gjykon se ndeshja e Markut lë shumë për të dëshiruar, sepse nuk ishte në kushte të barabarta. Ai theksoi se kundërshtari ishte modest. Fjalë që shtojnë edhe më shumë dyshimet për ndeshjen shou të Markut.
Edhe trajneri tjetër i Kombëtares, Sead Bushati, reagoi publikisht me një postim në faqen e tij, ku Markun e quan një sportist instagrami. “Vetëm shou, asgjë më shumë. Ndjehem i keqardhur dhe i pezmatuar që boksierët tanë që ngritën lart Flamurin Kuq e Zi dhe na përfaqësojnë denjësisht, nuk u pritën siç u ka hije, kur kanë ardhur me medalje ndërkombëtare!
Janë ngritur në këmbë Bashki e Kryeministri për të organizuar një pritje madhështore për Florianin, ndërkohë që për të tretin e botës, z.Kryeministër nuk denjoi as ta priste në zyrën e tij. Alban Beqiri nuk ofron shou, nuk ka kohë për shou. Për të qenë i treti në botë duhet mund, duhet punë.
Miqësisht kërkoj nga mediat të jenë më të kujdeshëm për sportistë që nuk e meritojnë, pasi po demotivohen profesionistët e vërtetë. Të jesh boksier elite në arenën e boksit dhe boksier instagrami janë dy gjëra komplet të ndryshme. Të motivojmë rininë drejt vlerave që sjell puna, mundi dhe përkushtimi”, – shkruan Bushati.
Vërtet, a fitoi boksieri diçka atë mbrëmje, apo i hipnotizoi të gjithë, duke predikuar patriotizëm me flamur dhe duke folur për ëndrrën e një ndeshjeje në ‘Air Albania’? Edhe pse kategoria ku bën pjesë Marku aktualisht mund të konsiderohet profesioniste, ka shumë gjëra që për një garë reale sportive nuk përputhen.
Çfarë rruge ndoqi Marku për të shkuar deri në finale? Në bazë të cilit koeficient, të çfarë lloj pikëzimi? Në boks ndeshjet oranizohen nga promotorët, por jo vetëm për të afruar sponsorë dhe për të bërë publicitet. Ka edhe garë reale, kundërshtarët janë të të njëjtit nivel. Përndryshe nuk ka logjikë sportive.
Në rastin e Markut disa gjëra që nuk shkojnë. Edhe pse fitorja e tij na emocionon, sepse duam flamurin shqiptar të ngrihet lart, ajo duhet të ketë vlera sportive për të justifikuar një pritje qeveritare.
Më keq akoma nëse Rama vendos të akordojë ndonjë shpërblim. Do të krijonte një precedent të tmerrshëm, sepse gjithkush do të gjente sponsorë, do të bënte ca ndeshje që do t’i mbyllte me K.O dhe pastaj do të gjente një meksikan të lodhur për ta rrahur para fansave kuqezi në ‘Air Albania’. Me K.O, apo me pikë, me vendim unanim jurie, pak rëndësi ka.
Ceremonia e Luiza Gegës, e merituar plotësisht, edhe pse me ca ekzagjerime, e pasuar vetëm pak ditë më pas nga një tjetër ceremoni për një gjerdan enigmatik boksi… Absurditet.
Ana protokollare e vlerësimit nga qeveria mund të jetë e njëjtë ose e përafërt, e sigurt është se 10 raundet e boksit në ‘Air Albania’ do të harrohen sa hap e mbyll sytë. Gara e Luiza Gegës në Mynih do të kujtohet jetë e mot.
Atletja është shembulli dhe modeli i drejtë i profesionalizmit. Të rinjtë shqiptarë duhet të frymëzohen nga ky dhe vetëm nga ky model.
Sa për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” nga Lushnja, siç bëri Bulqiza me Luiza Gegën, të gjithë mund të gjykojnë vetë. Në Shqipëri nuk është problem fare, ta japin këtë titull kollaj fare, edhe pa fituar asgjë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.