Analize

Sa të rrezikuar jemi nga tërmetet ?

Plot 100 tërmete kanë goditur Shqipërinë përgjatë orëve të fundit duke alarmuar qytetarët e Tiranës, Durrësit apo Shijakut dhe Thumanës, të cilët kanë zgjedhur ta kalojnë natën jashtë.

Ekspertët duken të ndarë, me disa që  thonë se rreziku ka kaluar dhe të tjerë që thonë se e “keqja” nuk ka përfunduar ende.

"Me siguri do të kemi pas goditje, nuk mund të arrijnë deri në 5.9 ballë të shkallës Rihter në orët, ose ditët e ardhshme," tha sot profesori grek Ethymios Lekkas një nga sizmologët më të njohur të rajonit për gazetën greke "Ekathimerini". Gjeologu parashikoi që dëmi ka të ngjarë të jetë "i gjerë", sepse në vendin tonë ka shumë ndërtesa të vjetra.

Sizmiologu i njohur grek, Akis Tselentis, i cili ka bërë edhe parashikimet për këto valë tërmetesh të forta në vendin tonë ka komentuar po ashtu për mediat shqiptare tërmetin e madh që përfshiu Shqipërinë në orën 03;54 minuta.

Sizmologu i njohur deklaroi, se ky ishte “piku më i lartë” i valës së tërmeteve që priteshin dhe pasgoditjet, sa vijnë e do të pakësohen.

Sizmiologu tha se rrezikoi më i madh ka kaluar, por mund të ketë një rrezik për tërmete në Korçë.

 “Tërmeti i Durrësit u ndje deri në Patra, jug të Greqisë. Epiqendra ishte në Adriatik. Tërmeti i parë ishte 6.4 kurse i dyti 5.8. Shtëpitë në Shqipërisë nuk janë si të Greqisë. Në Shqipëri nuk janë ndërtuar shtëpitë me standardet për të përballuar tërmetet. Si pasojë kemi kaq të plagosur dhe te vdekur. Nuk pritet të kemi më tërmet kaq të madh, mund të pasohet nga të vegjël. Tërmeti i Durrësit ishte qendror. Por ka rrezik që mund të ketë tërmete në Korçë sepse çarja e Durrësit ngatërrohet me atë të Korçës. Aty ku mbaron çarja e Durrësit fillon e Korçës” tha ai.

Ndërkohë, profesori Frederik Tilmann, drejtues i sektorit të sizmologjisë në Qendrën gjermane të Studimeve Gjeologjike (GFZ) ka deklaruar së fundmi për “DW” se Shqipëria një zonë sizmike e rrezikuar.

Forcat e shpëtimit duke kërkuar në rrënojat e gërmadhave. Gazeta Si 26 nëntor 2019

“Bregdeti i Shqipërisë ka hyrë gjithmonë në ato rajone të Evropës, që kanë qenë të ekspozuara ndaj rreziqeve të rënda sizmike. Tërmetet në këtë rajon kanë të bëjnë me lëvizje të Afrikës drejt veriut. Pllaka kontinentale afrikane lëviz me disa milimetra në vit drejt Evropës. Këto përplasje kontinentale krijojnë tensione, sidomos pjesë të mikropllakës së Adriatikut shtyhen e hyjnë nën Ballkan. Tërmeti në afërsi të Tiranës ka të bëjë me këto tensione”, shprehet Tilman.

Sipas një studimi të IGJEUM në vitin 2016, në shkallë botërore, Shqipëria zë vendin e 43-të për rrezikshmërinë nga tërmetet. Në hartën globale të rrezikut nga kjo dukuri natyrore, Shqipëria ndodhet në zonën e kuqe, duke e klasifikuar në mesin e vendeve me risk më të lartë nga tërmetet.

Nga dëshmitë që zotërohen deri më sot, rezulton që qysh prej shekullit II para Krishtit deri në ditët tona, Shqipëria është goditur prej 55 tërmetesh të fortë me intensitet deri në 8 ballë. Prej këtyre 55 tërmeteve të një periudhe më shumë se 2000-vjeçare, 36 i takojnë shekullit të 19.

Shqipëria është në mesin e një zone të gjerë kontakti midis pllakave tektonike të Afrikës.
Rajonet që rrethojnë Shqipërinë përfshijnë një zonë tektonike mjaft të gjerë, ku bëjnë pjesë Greqia, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Bullgaria Jugore dhe Turqia Perëndimore. Çdo vit, në këtë rajon ndodh të paktën një tërmet me magnitudë më të ulët se 6.5 ballë.

Skenarët shqiptarë të tërmeteve
Nga vlerësimet e rrezikut sizmik rezulton se tërmetet me magnitudë 5,0 kanë një periudhë përsëritje prej 3.6 vjetësh, ndërsa tërmetet 5.5, 6, 6.5 dhe 7 ballë kanë një periudhë përsëritje 10, 29, 94 dhe 505 vjet. Sipas vlerësimeve, me probabilitet 75%, Shqipëria preket çdo vit, nga një tërmet me magnitudë jo më të lartë se 4.7 ballë dhe një herë në 50 vjet nga një tërmet me magnitudë jo më të madhe 6.1 ballë dhe një herë në 100 vjet nga një tërmet me magnitudë jo më të lartë se 6.4 ballë.
Ndër zonat më të ekspozuara nga tërmetet është bregdeti Lezhë–Ulqin, ku rrezikohen qytetet shqiptare të Shkodrës dhe Lezhës dhe qyteti Petrovac i Malit të Zi. Këto zona janë goditur nga tërmete 6-7 ballë në vitet 1905, Shkodra, në vitin 1985; Lezha me 6 ballë dhe në vitin 1979 Petrovaci me 7.2 ballë, që dha efektet gati në të gjithë Shqipërinë.
Zona e dytë sizmike është ajo e Ultësirës pranë Adriatikut me qytetet e Tiranës, Durrësit dhe Beratit. Pranë Tiranës në vitet 1988 është regjistruar një tërmet 6 ballë, në Durrës në vitin 1926 është regjistruar një termet 6,6 ballë dhe në Berat në vitin 1959 në termet 6.6 ballë.
Zona e tretë sizmike është ajo e bregdetit Jon me qytetet e Vlorës, Himarës, Tepelenës dhe Sarandës. Këto dy të fundit janë goditur në vitin 1920 nga tërmeti me fuqi 6.6 ballë, Himara është goditur në vitin 1930 nga një tërmet 6.6 ballë dhe Vlora në vitin 1962 nga një tërmet 6.6 ballë.
Zona e katërt është Kukës–Peshkopi, ku të dy këto qytete janë të ekspozuara. Në vitin 1998, në Kukës, është regjistruar një tërmet 6 ballë dhe në Peshkopi, një tërmet 6 ballë në vitin 1942.
Zona e pestë sizmike është ajo Dibër-Elbasan-Korçë, ku ekspozimin më të lartë e ka qyteti i Elbasanit. Në liqenin e Ohrit, është regjistruar në vitin 1911 një tërmet me fuqi 6.7 ballë dhe Leskovik në vitin 1919, një tërmet po me fuqi 6.7 ballë. Në Elbasan në vitin 1967 është regjistruar një tërmet me fuqi 6.6 ballë.

Objektet që rrezikojnë shembjen

Studimi i ekspertëve të sizmologjisë tregon se tërmetet përbëjnë rrezikun më të madh kombëtar për një katastrofë natyrore në Shqipëri.


Dëmet që mund të krijohen në banesa do të përfshijnë ato objekte që janë ndërtuar me materiale që nuk u bëjnë ballë tërmeteve mbi 6 ballë dhe ndërtesa të vjetra, kryesisht ato para viteve 1960.
Sipas studimit, objektet e ndërtuara me qerpiç, tullë, gur dhe betonarme dhe sistemet strukturore me mure mbajtëse, parafabrikate janë më të rrezikuara.
Objektet e ndërtuara para vitit 1960 nuk kanë rezistencë ndaj tërmeteve, ato të ndërtuara ndërmjet viteve 1960-1990 kanë mbrojtje të ulët sizmike, ndërsa ndërtesat pas vitit 1990 kanë mbrojtje të pamjaftueshme, pasi në shumë prej objekteve të ndërtuara në këtë kohë është abuzuar me numrin e kateve në raport me qëndrueshmërinë e themeleve.
Studimi tregon se kërkesat më të mëdha për sistemin kombëtar të emergjencës civile do të dilnin nga tërmetet që ndodhin në Durrës, Elbasan, Berat ose Vlorë, pasi burimet sizmike me ndikim të ulët janë të afta për të shkaktuar dëmtime strukturore dhe shembje që shkojnë nga 1,9 deri në 5.2% të fondit kombëtar të banesave.
Në rast të tërmeteve me ndikim të lartë, që mund të ndodhin një herë në 500 vjet, potenciali energjetik i çliruar është i aftë të shkaktojë një katastrofë të ndërtimeve në nivel kombëtar.
Por procesi i zhvendosjes së popullsisë ka ulur impaktin e tërmeteve të fortë në vatrat tërmetore në veri dhe jug të vendit, por ka rritur dukshëm ekspozimin në Tiranë, Durrës dhe qytetet e tjera që ndikohen nga zonat burimore të tërmeteve në zonën bregdetare.
Ekspertët e Institutit të Sizmologjisë tregojnë se parametrat e parë sizmike që shoqëronin të parën hartë të zonimit sizmik të Shqipërisë u miratuan në vitin 1952. Më vonë, në vitet ‘60, është bërë një rishikim i rrezikut sizmik ku janë bërë përmirësime.
Pas tërmetit të vitit 1979, në Malin e Zi u miratua një hartë sizmike e Shqipërisë. Më vonë gjatë viteve ‘80 është bërë një rishikim i përgjithshëm i kushteve teknike të projektimit antisizmik dhe kanë hyrë në veprim rregullat e reja për qëndresën ndaj tërmeteve në vitin 1989, të cilat vijojnë të jenë sot e kësaj dite në fuqi.
Vrojtimet e bëra deri tani për dëmet e shkaktuara nga tërmetet tregojnë se projektimi korrekt i një strukture duhet të marrë në konsideratë ndikimin e dukurive të mësipërme në themelet e godinës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë