Financa Personale

Sa shqiptarë humbën investimet e tyre nga shembja e kriptomonedhave Terra dhe Luna?

Nga Gisela Troplini- Shkatërrimi i kriptomonedhës Luna dhe Terra, që tronditi të gjithë industrinë e kriptomonedhave dhe investitorëve, përfshiu edhe shqiptarët.

Xhesi Shehaj, analist i kriptomonedhave, pranë Virtual Albania, VIAL Community, tregon për Gazetën “SI”, se rreth 38% e investitorëve shqiptarë në kriptomonedha, kanë humbur pothuajsë të gjithë vlerën e investuar, nga rënia e Lunës, Cardano dhe Shiba Inu.

“Muajt e fundit tregu i kriptomonedhave u përball me një “apokalips” ku analizat tregojnë që shumica e investitorëve shqiptar i kanë mbajtur investimet e tyre në këto asete, me besimin që do të rimëkëmben së shpejti. Por kjo si rrjedhojë, ka sjellë që mbi 90% e zotëruesve të kriptove të humbasin mbi 70% të vlerës së investimit fillestar”,-tregon Shehaj për Gazetasi.al.

Ndonëse, nuk ka një numër se sa investitorë shqiptarë janë bërë pjesë e botës së kriptove, ka një shifër për vlerën që mbajnë këtë investitorë. Analiza të mëhershme nga Gazetasi.al, tregonin se Shqipëria, posedon 15 mld dollarë vlerë në kriptomonedha. Shifër që pretendohet të jetë reduktuar pas skemës së Lunës.

Sipas përllogaritjeve të “Marketpalce”, kapitali në tregjet botërore i kriptomonedhave, humbi 60 triliardë dollarë, brenda pak ditësh, nga skandali i monedhave “të qëndrueshme”, Terra dhe Luna.

Momentalisht, Bitcoin, po tregtohet rreth 20 mijë dollarëve, -50% nga një vit më parë dhe sipas VIAL, ka rënë me 65% nga janari 2022 deri në korrik.

Analisti Shehaj, tregon se në afatgjatë, investitorët presin një rikthim të vlerës së kriptomonedhave, ndërsa ata me më shumë eksperiencë po jetësojnë një strategji më efektive.

“Sa i përket periudhës afatgjatë, kushdo që zotëron projekte të forta kriptoasetesh, pritshmëritë janë që çmimet do të kthehen përsëri në pikën kulminante, por pas një kohe disa mujore. Nga ana tjetër tregtarët me eksperiencë nga evente të tilla gjatë një cikli ekonomik, kanë shitur asetet e tyre në periudhën kur tregu i kriptove ishte ne kulmin e saj dhe tani, ata presin që ky zhvlerësim të ndalojë, duke i dhënë mundësi të blejnë sasi më të mëdha me vlerën e ruajtur gjatë shitjes me shpresën që çmimi do rritet sërish drejt majave të mëparshme”, -tregon ai.

Kjo është hera e dytë, brenda këtij viti që monedhat digjitale përmbushin parashikimet e skeptikëve, si investime të rrezikshme dhe potencialisht piramidale.

Pushtimi rus në Ukrainë vërtetoi spekulimin më të madh të bërë ndaj kriptove, “ato nuk janë asete të sigurta” dhe se nuk janë parajsa ku investitorët mund të strehohen në kohë trazirash.

Investitorët e huaj dhe ato shqiptarë shitën shpejt posedimet e tyre në blockchain, tendencë që në fakt kishte nisur qëkur lufta ishte ende “e ftohtë”.

Sipas Chainalysis, mbi 50% e shqiptarëve që mbajnë kriptomonedha kanë investuar në Ethereum dhe 25% në Bitcoin.

Shehaj tregon për Gazeta “SI”, se kjo tronditje do të ndihmojë në një spastrim të tregut të monedhave digjitale, duke u foksuar në një numër të vogël kriptosh.

“Tregu i kriptomonedhave ndodhet në një pikë paralele historike krahasuar me krizën e internetit më vitin 2001, ku pritet që një pjesë e mirë e kriptomonedhave të cilat nuk kryejnë një funksion në treg, do të zhduken dhe ekosistemet me më shumë vlerë dhe premisa të larta si Bitcoin, Ethereum, etj do të rinisin rrugën drejt vlerave më të larta”, -shpjegon analisti Shehaj.

Virtual Albania, VIAL Community, është ekosistemi i parë shqiptar në blockchain, dedikuar plotësisht informimit dhe analizave rreth kriptomonedhave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë