Mendim

Sa shqip na flet “Shërbëtori i Popullit” i Zelenskyt

Nga Ermal Këlliçi - Seriali hapet në mënyrë shumë domethënëse: Tre oligarkë diskutojnë nga një ballkon luksoz mbi Sheshin Pavarësia të Kievit, se kë do të vendosin president të ri. Njëri prej tyre hedh idenë kapriçoze që kësaj radhe t’ia lënë në dorë vetëm votuesve…

Qysh prej vitit 1999, prodhuar nga “Kvartal 95”, një grup që presidenti aktual i Ukrainës kishte themeluar, “Shërbëtori i Popullit” dhe aventurat e profesorit të gjimnazit Vasily Petrovych Goloborodko (interpretuar nga Volodymyr Zelensky asokohe komedian), magjepsën publikun ukrainas, aq sa më pas seriali u bë edhe film. Atje Zelensky interpreton një njeri të zakonshëm, i cili për shkak të një videoje të bërë virale në YouTube dhe të xhiruar nga nxënësit e vet, përfundon në karrigen që drejton vendin. Ashtu si pjesa më e madhe e ukrainasve, ai është i tejngopur nga gjendja ku ndodhet vendi i tij, e ndjen deri në palcë korrupsionin skandaloz me të cilin oligarkët shtypin ata që punojnë; pra është një njeri që pret dhe kërkon ndryshimin të ndodhë.
Profesor Goloborodko është njeri i ndershëm, një burrë i divorcuar pak mbi të tridhjetat, energjik dhe mjaft i ditur në profesionin e tij. Ai është kthyer të jetojë me prindërit, të motrën dhe mbesën, pasi shtëpinë pas divorcit ia ka lënë ish-gruas dhe të birit. Profesori, i mësuar të lëvizë me biçikletë rreth Kievit, me një thjeshtësi që e bën atë të vërtetë, do të projektohet pas pak në një botë krejtësisht të ndryshme nga e tija. I ati punon si taksist i palicensuar, ndërsa e ëma shtëpiake. Të shohësh banesën e tyre modeste dhe me arredim të paprekur që nga koha e shkëputjes nga ish-BRSS, të duket sikur sheh shëmbëlltyrën e çdo shtëpie shqiptare, ku të duhet të presësh në radhë për të hyrë në tualet, ku të duhet t’i lutesh nënës apo mbesës të të hekurosë një këmishë dhe ku të gjithë mblidhen në një tryezë vetëm kur hanë darkë.

Çfarë të bën përshtypje
Është impresionuese të ndjekësh edhe dialogjet familjare: Të duket sikur je në një shtëpi të thjeshtë shqiptare, e cila nga njëra anë mundohet të mbijetojë me djersën e ballit dhe nga ana tjetër kërkon të përfitojë sadopak joligjërisht nga ajo që i fal e vogla e vet në të përditshmen. Të duket sikur je në ndonjë banesë parafabrikat duke ndjekur jetën e gjitonit, me episode ku komshiu tjetër i fortë të bllokon makinën me automjetin e tij të parkuar keq, poshtë në oborrin e pallatit. Gjithçka është kaq shqiptare te “Shërbëtori i Popullit” saqë edhe debatet politike brenda familjes i kemi si dy pika uji. Pavarësisht anës, ajo që vërehet në biseda është fryma e përgjithshme anti-politikë, anti-establishment, anti-“elitë” ekonomike… njësoj si në Shqipëri. Edhe vetë ky shërbëtor i popullit, në të gjithë serialin, na shfaqet si një njeri mbi palët politike, madje si dikush që e urren atë që ka prodhuar politika në këtë çerekshekulli të fundit. Dhe, nuk ka faj…
Pra, profesor Goloborodko gdhihet një mëngjes President i Ukrainës, detyrë për të cilën ai është komplet i papërgatitur, por jo edhe vullnet-mangët për të mësuar. Që atë ditë, gjithçka ndryshon për familjen Goloborodko; të gjithë i trajtojnë si princër, shumëkush u ofron mallra e shërbime që ata as që i kishin ëndërruar nëpër qendra tregtare.
Presidenti i ri e gjen veten menjëherë të rrethuar nga këshilltarë të korruptuar, të gjithë të bindur vetëm ndaj ligjit të parasë. Madje disa syresh do të arrijnë deri aty sa ta nxisin që të bëjë një njoftim televiziv ku paralajmëron se një meteorit është gati të bjerë, kjo vetëm për të penguar njerëzit, të cilët kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër disa taksave të reja. Por profesori nuk epet: si njeri i popullit siç është, njeri i ndershëm dhe i thjeshtë deri në palcë, ai do të vazhdojë të zgjedhë rrugën e ndershmërisë. Ai do ta menaxhojë krizën duke përveshur mëngët dhe duke punuar fort, pa mashtrime dhe marifete, si ato tipiket të qeveritarëve që i kanë paraprirë.
Ai nis të pastrojë kalbësinë që ka përfshirë prej shumë kohësh qeverisjen: Shkarkon guvernatorët, sekretarët dhe këshilltarët e korruptuar, madje arreston kryeministrin gjatë një daljeje direkt në televizion, duke i detyruar politikanët të respektojnë ligjet. Për të, e vetmja kërkesë është ajo që lidhet me ndërshmërinë dhe zbatimin e ligjit në një shtet ku njerëzit “nuk kanë çfarë të hanë dhe kanë frikë të dalin në protestë”.
Por problemin më të madh ai e ka me ukrainasit. Një nga monologjet më të goditura është ai i episodit 15 të sezonit të parë, teksa Goloborodko duke iu përgjigjur gazetarëve shprehet pak a shumë: “Unë nuk besoj se ukrainasit lindin kokëgdhë dhe të korruptuar… Gjithçka nis që në maternitet kur ukrainasi lind 3 kile e ca. Por pyetja është: Si ndodh që këto 3 kile e ca bëhen 100 kile kokëgdhë dhe i korruptuar kur ai rritet. Nis me rryshfetin që i jep prindi mjekut që e ka sjellë në jetë, vazhdon në shtëpi kur fëmija sheh të atin që shan televizorin ku shfaqen politikanët dhe drejtësia e korruptuar, teksa mbi tryezë pikërisht babai po numëron paratë që sapo ka marrë nga një protestë për të cilën është paguar që të marrë pjesë. E kështu me radhë… Të gjithë jemi fajtorë…” (më poshtë video)

Reforma, kudo reforma
Pasi provon kabinetin që vendi e ka mbi kurriz prej 25 vjetësh, ai vendos të reformojë gjithçka: Merr ministra ish-shokët e tij të shkollës, ndërsa drejtoreshë të Bankës Qendrore vendos ish-bashkëshorten, jo thjesht për ndjenjën që ende ushqen ndaj saj, por sepse ajo (ashtu si edhe ai) janë të tejngopur nga korrupsioni kapilar që është shtrirë kudo në shoqëri. Dhe në gjithë këtë vorbull ku kjo komedi politike të përfshin, shfaqen herëpashere ata, të mëdhenjtë e kombit, ata që u pasuruan duke përfituar për dy astra asete dhe të mira publike. Oligarkët pendohen shumë shpejt që ia lanë në zgjedhje të lirë elektoratit vendosjen e presidentit të radhës. Bëjnë gjithçka që kanë në dorë për të blerë me rryshfete ministrat e rinj, duke ofruar miliona. Përshembull, ministrit të ri të mbrojtjes, i çojnë një kuti gjigande plot me dollarë për t’i marrë një ish-repart ushtarak dhe për ta shndërruar në rezort. Dhe, të gjithën këtë, e bëjnë teksa luajnë Monopoli me prona e asete të vërteta: “Të jap Portin e Odesas, nëse më siguron drejtorin e ri të Doganave”… “Të marr menaxhimin e metrosë së Kievit dhe si garanci të lë lejen e ndërtimit për rezortin turistik buzë Detit të Zi”… Ata kanë gjithçka nën kontroll, nga shërbimet sekrete deri të punonjësi më i thjeshtë i administratës, e cila (meqë ra llafi) është gjigandisht e fryrë me këshilltarë e qelepirës të tjerë që majmen përdita nga aq pozicion sa kanë. Oligarkët janë gjithnjë aty, e përgjojnë gjithë kohën, duke lëvizur 1000 gurë për të prodhuar baltë mbi presidentin e ri. Ata rrëmojnë në të shkuarën e tij, por më kot.
Nga ana tjetër, drejtori i ri i Tatimeve që presidenti Goloborodko vendos, ndërmerr një fushatë për hetimin e të gjithë politikanëve në Parlament: Secili prej tyre ka prona dhe miliona, por askujt nuk i gjenden këmbët, pasi i kanë në emër të vëllait, nënës, motrës apo kunatit. Ata janë të përfshirë të gjithë në tregtinë e karburanteve, në tregun e patundshmërive, të ndërtimit dhe një dreq e di se ku tjetër!
Për të dënuar politikanët për evazion taksash, presidenti nuk arrin të gjejë asnjë nga 10 mijë juristët që ka Ukraina, që të jetë aq i ndershëm dhe i pakorruptuar. Dhe si përfundim gjen një ish-prift ortodoks që ka kurajon të japë dënimet e merituara.
Ndërsa për të investuar për infrastrukturën e shkatërruar në vend, Goloborodko zbulon se paratë firojnë rrugës pasi që nga Ministri i Infrastrukturës dhe deri te brigadieri më i thjeshtë i kompanisë që merret me asfaltimet, kanë të gjithë shtëpira e vila në Londër, Spanjë e Skoci.

Dy fjalë “teknike”
Programi televiziv (titulli në origjinal “Sluha Narodu”) u lançua më 2015. Seriali ka një skenar të kopsitur mjaft mirë, me situata komike që të gajasin, por edhe me flash-back që të kthejnë pas në historitë e personazheve. Aktori i atëhershëm Volodymyr Zelensky ishte i njohur për publikun, por u bë edhe më i dashur me një rol që ai do ta luante me të vërtetë, në realitet, katër vjet më vonë, kur do të linte karrierën artistike për të përqafuar atë politike, derisa u zgjodh President i Ukrainës, më 21 prill 2019.
Seriali është i një zhanri komedi, me satirë të thekur politike dhe përveçse në Ukrainë, tani e tutje me transmetimin në NetFlix, ka të ngjarë të bëhet një nga serialet më të famshme edhe në botë. Tre sezonet e “Shërbëtorit të Popullit” u realizuan me një buxhet të vogël nga aktorët e humorit të “Kvartal 95”, personazhe të estradës ukrainase që në atë kohë punonin për televizionin me pronar oligarkun Igor Kolomoysky. Në mesin e atyre komedianëve, ishte pikërisht vetë Volodymyr Zelensky. Seriali pati sukses të paparë në Ukrainë, madje e gjeni edhe në YouTube me titra në anglisht. Episodi i parë krenohet me mbi 9 milionë shikimeve, një numër i destinuar të rritet në mënyrë eksponenciale tashmë që emri i Volodymyr Zelenskyt është në gojët e gjithë botës.

Rastësitë me realitetin
Pas suksesit të serialit, Zelensky themeloi më 31 mars 2018 partinë me të njëjtin titull “Shërbëtori i Popullit”, një lloj organizimi politik si ai i Beppe Grillos të “Cinque Stelle” që lëvizi dramatikisht kënetën politike në Itali. Lëvizja e re që kishte lindur ishte mjaft e bindur se çfarë deshin ukrainasit. Madje qysh në një nga episodet e serialit, gjatë të cilit presidenti Goloborodko merr dy automatikë dhe i zbraz kundër parlamentarëve që sapo kishin refuzuar reformat e promovuara prej tij, të gjithë komentuesit në rrjetet sociale ranë dakord se kjo ishte “ëndrra e miliona spektatorëve”.

Në të vërtetë, nuk dihet nëse ka pasur ndonjëherë një para-përllogaritje të vërtetë politike pas këtij seriali, por vetë Zelensky dhe grupi i tij patën thënë që në fillim, përpara se të fitonin me 70% të votave përballë Poroshenkos, se ata ishin të pavarur nga politika dhe se seriali synonte të tallej pa përjashtim me të gjithë politikanët, deputetët, oligarkët dhe figurat e nomenklaturës drejtuese të vendit. Ka shumëçka reale që është përsëritur në realitet pas filmit: Reformat e propozuara nga Zelensky dhe vetë fryma e re që solli në politikën ukrainase, e dëshmojnë këtë.
Të vetmen gjë që Zelensky duket se nuk kishte parashikuar te “Shërbëtori i Popullit” ishte pushtimi aktual rus. Ndoshta, më në fund, duhet të heqim dorë: Fantazia është shumë më e përmbajtur sesa realiteti, por është gjithashtu një simptomë se si populizmi është i lidhur sot me një rrëfim të bazuar në heroin individual, pothuajse gjithmonë që vjen nga klasa e mesme e keqtrajtuar, nga populli, në një mohim total të rëndësisë së atyre elitave kulturore dhe ekonomike që gjithmonë kanë udhëhequr Perëndimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë