Ekonomi

Sa i kushton shqiptarëve borxhi publik?

Nga Gazeta ‘SI’ – Barra e borxhit publik që i rëndon shqiptarëve është rritur në vitin 2024.

Të dhënat tregojnë se në 2024-n një shqiptar është “në borxh” 569 mijë lekë, nga 567 mijë lekë që ishte në vitin 2023. Në total, borxhi publik i Shqipërisë për vitin 2024 raportohet 1.365 mld lekë, një rritje shumë e lehtë nga 1.362 miliardë lekë në vitin 2023.

Për vitin 2024, interesat e borxhit të paguara kapin shifrën prej 54.4 miliardë lekësh, duke mbetur të pandryshuara krahasuar me vitin 2023.

Në një analizë, qendra studimore ALTAX thekson se kosto e borxhit për shqiptarë nuk matet vetëm me vlerën e detyrimit, por edhe me të ardhurat publike që konsumohen çdo vit pa gjeneruar vlerë të shtuar

Nga njëra anë, borxhi ka shërbyer për të financuar projekte kapitale në infrastrukturë rrugore, energji dhe ndërtesa publike, po në periudha, si pandemia e COVID-19 apo tërmeti i vitit 2019 huamarrja ka qenë një instrument i domosdoshëm për ruajtjen e stabilitetit buxhetor dhe për të financuar paketat e ndihmës sociale dhe ekonomike.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se efektiviteti i huamarrjes në funksion të zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve është i kufizuar.

Një pjesë e mirë e investimeve të financuara me borxh nuk janë shoqëruar me analiza të thella të kostos dhe përfitimit, çka ka sjellë investime me kthim të ulët ose të pasigurt. Përdorimi i gjerë i partneriteteve publike-private (PPP), të kontraktuara shpesh pa konkurrencë dhe me kosto të larta afatgjata, ka zhvendosur barrën e borxhit nga sektori publik në forma jo gjithmonë transparente dhe jashtë bilancit zyrtar.

Për më tepër, një përqindje e lartë e borxhit është në monedha të huaja, gjë që e ekspozon ekonominë ndaj rrezikut të zhvlerësimit të lekut dhe rritjes së kostove të shërbimit të borxhit në kushtet e paqëndrueshmërisë globale financiare.

“Borxhi publik shqiptar nuk është aktualisht jashtë kontrollit, por mbetet një barrë strukturore për financat dhe për qytetarët.

Në një kontekst ku çdo vit paguhen mesatarisht 50 mldd lekë (~500 milion Euro) për interesa, ndërkohë që cilësia e shërbimeve publike mbetet e diskutueshme është koha për të trajtuar borxhin jo vetëm si numër në bilanc, por si pjesë e drejtëpërdrejtë e politikës ekonomike dhe mirëqenies së qytetarit:, përfundon analiza e ALTAX.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë