Analize

Sa herë kanë qenë Kosova dhe Serbia drejt përplasjes në Jarinjë dhe Bërnjak?

Në 24-orëshin e parë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, serbët i vunë flakët objekteve të vendosura në dy pika kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak. 

Ashtu si sot, kur janë të rrethuara nga njësitë e ushtrisë së speciale të Kosovës nga njera anë dhe tanket dhe avionët serbë nga ana tjetër, këto pika kufitare janë kthyer në zona beteje sa herë Kosova ka shtrirë autoritetin në veriun e banuar nga serbët.  Në këto dy pika, Serbia dhe Kosova kanë qënë disa herë të prag përplasjeje ushtarake, të cilat janë shmangur nga vendosja e KFOR-it në kufi.

Kosova priti më shumë se tre vjet pas Pavarësisë, për të vendosur dogana në kufi. Në korrikun e 2011-s, qeveria e udhëhequr në atë kohë nga Hashim Thaçi autorizoi njësitet elite të policisë për të shkuar në të dyja pikat, ku kërkohej të vendoseshin doganierët, të cilës i druheshin  sigurisë.

Plani ishte dekonspiruar. Rruga për në Bërnjak ishte bllokuar dhe në një nga sulmet e armatosura gjatë kësaj rruge u plagos për vdekje polici i elitës, Enver Zyberi.

Edhe pas këtij zhvillimi, pikëkalimit në Jarinjë iu vu flaka. Situata rriti trysninë ndërkombëtare për dialog. Disa marrëveshje mbërritën në Bruksel, përfshirë atë për menaxhim të integruar të kufirit, si dhe atë që ka çuar në tensionet akuale,  marrëveshjen për njohjen e targave.

Treni serb

Për t’i çuar dy vendet në prag përplasjeje, mjaftoi nisja e një treni, që zgjoi nacioalizmin dhe tensionet në të dyja anët e kufirit

Në janar të 2017-ës, Serbia provokoi si kurrë më parë duke nisur një tren drejt Kosovës, i dekoruar me flamuj serbë, me mbishkrimin “Kosova është Serbi” në 20 gjuhë.

Treni ishte nisur pa lejen e qeverisë së atëhershme të Kosovës, të udhëhequr nga Isa Mustafa, i cili e cilësoi hyrjen e tij në Kosovë si provokim dhe shkelje të sovranitetit të saj, duke e ndaluar në kufi.

Nisja e trenit provokues, sipas autoriteteve të Beogradit ishte një provë për vendosjen e linjës së rregullt Beograd – Mitrovicë. Presidenti Hashim Thaçi ishte i qartë në qëndrimin e tij se treni me mbishkrime nacionaliste nuk duhej lejuar të hyjë brenda Kosovës.

Ai u ndalua në afërsi të kufirit në Rashkë, një komunë në Serbinë jugperëndimore, ku ishin mbledhur shumë anëtarë të ushtrisë serbe.

Aleksandër Vuçiç, atëherë kryeministër akuzoi Prishtinën për provokim, duke u ankuar te shefja e politikës së jashtme të BE-së Federica Mogherini dhe Rusia se ‘Prishtina po luan lojëra lufte’.

Ambasadori i atëhershëm i SHBA-së në Prishtinë, Greg Delauie, u pati bërë thirrje të dyja palëve për përmbajtje, por Vucic kërcënoi se do të dërgonte ushtrinë në Kosovë.

Kosova bëhet me ushtri

Ditën kur parlamenti i Kosovës votoi në janar të 2018 që Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) të kthehej në ushtri të Kosovës, në anën tjetër të kufirit u mblodhën forca ushtarake serbe.

 Mes tyre ishte edhe Aleksandër Vuçiç, i cili qëndroi afër kufirit të Kosovës, jashtë zonës pesë kilometërshe të sigurisë e vendosur nga NATO në vitin 1999.

Jashtë kësaj zone kishte një përqendrim të forcave ushtarake e policore serbe. Së bashku me Vuçiç ishte edhe ministri serb i Mbrojtjes Aleksandër Vulin dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të kësaj ushtrie gjeneralkoloneli Milna Mojsiloviç.

Presidenti i Serbisë tha se "qëllimi kryesor i ushtrisë së Kosovës është që të marrë veriun e Kosovës me shumicë serbe dhe të dëbojë serbët nga ai rajon”. "Kosova është vuajtja jonë e madhe. Themelimi i ushtrisë së saj nuk është në përputhje as me të drejtën dhe as me Rezolutën 1244. Është detyrë e KFOR-it që ta shpërbëjë atë ushtri. Por KFOR-i nuk do ta bëjë këtë, ai do të thotë se ka ndryshuar çdo gjë që nga koha kur është shpallur pavarësia e Kosovës”, deklaroi ai.

Ushtria serbe qendroi prej disa ditësh në kufi, duke detyruar trupat e KFOR-it të vendosish në anën shqiptare të kufirit. Ato u vendosën në Jarinjë dhe Bernjak dhe patrulluan për disa ditë rresht kufirin, duke detyruar trupat serbe të ktheheshin në bazat e tyre ushtarake.

Taksa 100%

Incidenti tregoi se sa e brishtë është paqja dhe stabiliteti në Ballkan dhe SHBA dhe BE u angazhuan më fuqimisht për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

Në Bruksel dialogu vazhdoi, por marrëveshjet nuk gjenin zbatim. Pas shumë barrierave tregtare, Qeveria Haradinaj vendosi taksë 100 për qind ndaj produkteve me origjinë Serbinë, duke ringjallur tensionet.

Për shkak të humbjeve të mëdha financiare, të cilat përgjatë kësaj periudhe vlerësohet se kanë arritur shumën prej rreth 100 milionë eurosh, Serbia rriti presionin ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj për heqjen ose pezullimin e saj me arsyetimin se ka bllokuar dialogun në Bruksel.

Serbia regjistroi humbje prej 395 milionë eurosh, duke bërë të pamundurën për heqjen e taksës. Edhe ateherë ajo dërgoi një numër të vogël trupash në kufi, duke rritur tensionet në Veri dhe duke çuar në protesta lokale.

Dy vjet më vonë, Qeveria “Kurti” e zëvendësoi tarifën me reciprocitet, masë që në Beograd u gjykua si akoma më e rëndë. Kurti iku herën e parë si kryeministër për shkak të këtij zhvillimi, por tashmë është sërish kryeministër.

Tanket serbe sot në kufi me Kosovën

Java e kalaur e ka gjetur të bllokuar rrugën në pikën kufitare në Jarinjë. Forcat e Policisë së Kosovës ka qëndruar në gatishmëri gjatë gjithë natës, pas protestave lidhur me vendimin e Qeverisë për reciprocitet për targat e veturave të regjistruara në Serbi, që hyjnë në Kosovë. Në shenjë proteste, serbët e Kosovës kanë djegur qendrat për kontrollin e makinave në komunat e Veriut, ndërkohë që Serbia ka dërguar tanke dhe avionë në pikat kufitare të Jarinjës dhe Bernjakut, duke i rritur tensionet më shumë se kurrë ndër vite.

Sot Serbia ka vendosur katër automjete të blinduara në veri me Kosovën, të cilët janë pozicionuar më pak se dy kilometra nga zona kufitare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë