Ngjarje

Sa e ka numrin mami? Nipi i Mark Frrokut vjel lajthi dhe bën shaka

Një burrë nga kryeqyteti u denoncua nga komshia e tij, e cila kur është kthyer në shtëpi ka gjetur të bijën duke qarë, por që mes dënesës i ka treguar se hajduti kishte vjelë lajthitë dhe duke u larguar e kishte pyetur: Sa e ka numrin mami?

Denoncuesja quhet Rajmonda Lila, e moshës 40 vjeç dhe jeton në rrugën “Hamdi Cullhaj”. Gruaja tregoi në Komisariatin numër 6:

“Mbasditen e 19 korrikut, sapo u ktheva në banesë, gjeta në shtëpi vajzën e mitur. Më tregoi se një person i panjohur kishte hyrë në kopshtin e banesës private dhe kishte mbledhur pemët e lajthive, me një fjalë frutat e lajthive. Pastaj e ka pyetur ‘sa e ka numrin mami’. E mora vajzën përdore dhe shkuam te lokali i lagjes që është ‘AML’. Ime bijë tregoi me gisht nga një tavolinë me dhjetë burra që po hanin lajthi. Ajo më tregoi se kush ishte personi dhe unë i  kërkova shpjegim. Por mora prej tij një buzëqeshje ironike dhe asgjë tjetër”.

Gazeta “Si” mësoi se oficerja e policisë e pyet se ‘a e di emrin e personit që vajza e kishte identifikuar si hajdut të lajthive’ dhe kallëzuesja i përgjigjet:

Rajmonda Lila: Unë e identifikoj si nipin e Mark Frrokut dhe që quhet Jak, më tepër nuk di.

Oficerja e policisë: A ke konflikte të tjera me të?

Rajmonda Lila : Jo nuk kam asnjë konflikt, veç atij që më vjel frutat.

Por, menjëherë ka marrë në pyetje të dyshuarin, që në fakt siç është identifikuar më pas nga prokuroria, ishte vërtet nipi i ish-deputetit Mark Frroku. I dyshuari quhet Jak Jaku. Por i denoncuari jep versionin e tij.

Jak Jaku: Po, isha duke ngrënë lajthi. I mora nga një pemë që kacavirret te prona ime dhe nuk kam hyrë në pronën e zonjës. Nuk do rrezikoja asnjëherë të hipja në një mur dhjetë metra të lartë dhe për çfarë, për një grusht lajthi. Rajmonda ka qenë pastruese në lokal dhe vajza ime luan me vajzën e saj, ajo i bën këto veprime që kur u largua nga puna”.

Gazeta “Si” u interesua për fatin e denoncimit të gruas, jo më tepër për shkak të dëmit të shkaktuar, por për shkak të emrit të të dyshuarit, i cili njihet si nipi i ish-deputetit Mark Frroku. Rezulton se prokuroria në kohë rekord ka kryer hetimet sapo policia ia ka referuar materialin deponues. Plot një muaj pas regjistrimit të çështjes më 20 gusht, prokurori Ylli Basha, të cilit i ka rënë dosja sipas shortimit, ka vendosur mosfillim të çështjes. Gazeta “Si” mëson se argumenti i prokurorit lidhet me teorinë se çfarë quhet vjedhje dhe çfarë quhet marrje.

Prokurori: Sipas teorisë të së drejtës penale, me vjedhje të pasurisë kuptohet marrja ose hedhja në dorë në mënyrë të kundërligjshme të fshehtë ose të hapët të pasurisë së luajtshme e kryer me dashje, me qëllim për të mos e kthyer më, për të nxjerrë përfitime për vete, ose në dobi të personave të tjerë. Nga të dhënat e pasqyruara më sipër, duket qartë se shtetasi Jak Jaku nuk ka hyrë në pronën private të shtetases Rajmonda Lila, por ka konsumuar një sasi shumë të vogël lajthish, të cilat i ka marrë nga një degë që binte në pronën e tij. Nga sa më sipër, duket se në rastin konkret fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë