Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest shtëpie” këtë të enjte për ish-zëvendës-ministren e Brendshme, Rovena Voda.
Masa u shqyrtua vetëm për Vodën dhe Majlinda Hasanin, ndërsa për Florida Beun, do të mbahet me datë 10 dhe nuk është shqyrtuar sot.
Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit, vendosi pak ditë më parë “arrest shtëpie” për Vodën, me akuzën e “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Zyrtarja akuzohet se ka marrë 2 mijë euro rryshfet për punësimin në Ministrinë e Brendshme të shtetases Florida Beu.
Sipas dosjes hetimore, Majlinda Hasani ka luajtur rolin e sekseres për të lidhur Florida Beun me ish-zv.ministren. Mes tyre zhvillohen disa biseda në lidhje me temën në fjalë, të cilat ndodhen në dosjen e SPAK. Edhe pse Beu aplikoi në disa vende në ministri, nuk arriti që të fitonte.
Ish-zyrtarja e lartë e Ministrisë së Brendshme u zbulua nga SPAK gjatë hetimit për prokurorin e Kukësit, Edmond Karriqi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.