Dosje

Rusët prej 3 ditësh në Gramsh, fotografuan tunele e bunkerë: Jemi blogerë. Antiterrori s’i beson (Foto)

Dy shtetasit rusë dhe ukrainasi të arrestuar nën dyshimet e spiunazhit pas hyrjes në ambientet e Uzinës së Armëve në Gramsh janë shumë aktivë në rrjetet sociale, ku e përshkruajnë veten si fotografë e kureshtarëve, veçanërisht në fotografimin e objekteve gjigante, të vjetra e të braktisura ish-komuniste të shekullit të kaluar.

Duke u treguar llogaritë e veta në rrjetet sociale, në dëshmitë paraprake të dhëna për autoritetet ata thonë se janë blogerë dhe entuziastë udhëtimesh e eksplorimesh të vendeve të reja, të panjohura e të pashkelura.

“Jemi blogera, udhëtojmë dhe fotografojmë ndërtesa të braktisura, kryesisht territore ushtarake që nuk përdoren më në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik”, kanë deklaruar ata në polici.

Dëshmia e tyre është shoqëruar me ilustrimet që tre shtetasit e ndaluar u kanë treguar prokurorëve nga tre faqe Instagrami, ku numërojnë mijëra ndjekës e publikojnë fotot nga udhëtimet e tyre. Mes fotove ka edhe baza e vepra ushtarake të epokës sovjetike të dala jashtë funksionit në Gjeorgji, Armeni e vende të tjera ish-komuniste.

Ukrainasi me inicialet F.A., 25 vjeç dhe personi që ka në pronësi automjetin luksoz Chevrolet poston me pseudonimin “Cyanidium”. Mes fotove të fundit që ka publikuar ai është edhe një e makinës së parkuar nën oxhakun e ish-termocentralit të Cërrikut.

Foton e ka shkrepur shtetësja ruse, Svetlana Timofeeva, 33 vjeç dhe gjithashtu e ndaluar nga policia. Kjo e fundit poston në Instagram me emrin Lana Sator dhe ka mbi 200 mijë ndjekës, mes të cilëve edhe shumë shqiptarë.

33-vjeçarja ka publikuar gjithashtu edhe foto nga tunelet nëntokësore dhe fortifikime të tjera të ndërtuara gjatë komunizmit në zonën e Gramshit dhe pranë Uzinës së Armëve, të cilës i vinin vërdallë prej tri ditësh.

Personi tjetër i arrestuar, Mikhail Zorin, 23 vjeç dhe me pasaportë ruse në Instagram poston nën pseudonimin “In dust Ninja”. Pesë ditë më, ai ka postuar një foto nga Siçilia, ky mendohet se ka qenë bashkë me dy shtetasit e tjerë të ndaluar e që po merren në pyetje tashmë nga antiterrori.

Të tre të ndalurit kanë mohuar se janë agjentë, duke deklaruar se “nëse do të ishin spiunë nuk do t’i afroheshin bazës me një mjet luksoz që binte në sy nga banorët”. Reagimin e tyre të dhunshëm ndaj ushtarëve, ata e kanë cilësuar si reagim nga paniku dhe nga fakti që nuk dinë shqip”.

Ajo që nuk bind prokurorët shqiptarë se bëhet fjalë vetëm për blogerë pa lidhje me spiunazhin është mënyra se si kanë reaguar të rinjtë ndaj thirrjes së ushtarëve për të ndaluar, kur e kanë parë brenda rrethimit të uzinës ushtarake shtetasin rus, Mikhail Zorin.

Në momentin që ushtarët janë afruar dhe e kanë kapur prej krahu, rusi ka manovruar duke nxjerrë prej çantës një spraj djegës dhe duke ua hedhur ushtarëve në fytyrë. Sipas dëshmisë së banorëve vendas të Çekinës, ku ndodhet uzina, rusi është përpjekur që të largohet me vrap, por ëshë kapur më pas. Ndërkohë, dy miqtë e tij, ukrainasi me inicialet F.A., dhe rusja Svetlana Timofeeva janë larguar me shpejtësi me makinën “Chevrolet”, për t’u ndaluar më pas pranë qytetit të Cërrikut.

Dyshimet shtohen edhe prej një aparature dhe sendeve të tjera të gjetura në çantën e Mikhail Zorin. Mes sendeve të gjetura në çantën e tij të shpinës kishte kaçavida, çelsa zbërthyes, aparate fotografike dhe një pajisje regjistrimi e transmetimi. Këtë pajisje po analizojnë autoritetet, që dyshojnë se mund të jetë pajisje spiunazhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë