Ka ndodhur

Rrjedhja e gazit në një karburant në Tiranë, arrestohen tre persona

Tre persona janë vënë në pranga, pasi shkelën rregullat mbi lëndët plasëse dhe djegëse, dhe si pasojë u dëmtua një tub i cili shkaktoi rrjedhje gazi në një karburant në rrugën “Sadik Petrela”, në Shkozë.

Policia e Tiranës thotë se ka vënë në pranga administratorin, menaxherin dhe një punonjës të pikës së karburantit.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasit A. Ç., 58 vjeç, (administrator në një subjekt), Xh. R., 38 vjeç, (menaxher i subjektit), dhe M. H., 54 vjeç, (shofer), të tre banues në Tiranë. Shtetasi Xh. R., menaxhon një subjekt në rrugën "Sadik Petrela", të palicensuar për tregtimin e hidrokarureve. Ditën e djeshme, shtetasi M. H., duke parkuar automjetin autocisternë në këtë subjekt, ka dëmtuar një tub dhe si pasojë është shkaktuar rrjedhje gazi. Shtetasi A. Ç., administrator i këtij subjekti, ka përdorur pajisje të cilat nuk plotësojnë kushtet thelbësore të sigurisë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Një ditë më parë policia evakuoi banorët e zonës dhe bllokoi përkohësisht një segment të rrugës “Sadik Petrela” për shkaqe sigurie.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë