Nga Gazeta ‘SI’ – Produkti i Brendshëm Bruto i Shqipërisë, është rritur me 2.23% në tremujorin e dytë 2022, nga e njëjta periudhë e një viti më parë dhe ka rënë me 1.16% krahasuar me tremujorin paraardhës 2022. Në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, rritja ekonomike raportohej 17.9%.
Rritja vjetore është më e ulta pas asaj të 2020-s, kur vendi ishte i izoluar nga masat anti-Covid dhe shënoi rënie mbi 10%.
Ulja e rritjes së ekonomisë sipas aktivitetit të sektorëve, është ndikuar nga rënia në sektorin e arteve, argëtimit dhe shërbimeve me 5.36%, aktivitetit ndërtues, me 5.26% dhe industrisë, energjisë e ujit, me 3.85%, tregues që zënë peshë të madhe në normën e PBB-së.
Me rënie janë raportuar edhe aktiviteti i administratës publike, arsimit, shëndetësisë me 3%.
Rritje të ndjeshme në raport vjetor, ka pasur sektori bujqësor, pyjet dhe peshkimi me 1.55%, kur një vit më parë, ajo u rrit me vetëm 0.1%. Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rritje prej 11.42%.
Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rritje prej 13.2%. Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 11.38%.
Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi dhe tregon mallrat dhe shërbimet e përdorura nga familjet individuale ose komunitetet, u rrit me 8.95%. Konsumi final i qeverisë pësoi rënie me 8.5%. Ky tregues përmban vlerën e shërbimeve jotregtare të kryera nga administrata publike dhe nga institucionet jofitimprurëse në përfitim të komuniteteve ose grupe familjesh.
Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks pësoi rënie me 6.69%, që rezulton më e larta, tregon shpenzimet e reja në kapital të prodhuesve, më synim rritjen dhe zgjerimin e kapacitetit të tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.