Ngjarje

Rritja e të infektuarve, BE pritet të mbyllë kufijtë me Shqipërinë

Pas rritjes së rasteve të të infektuarve me Covid-19, por edhe rasteve të mashtrimeve me tamponët, Bashkimi Europian po mendon të mbyllë sërish kufitë me Shqipërinë.

Vetëm dy muaj pas marrjes së dritës jeshile, vendi ynë mund të hiqet nga lista e vendeve të sigurta të BE-së, duke mos lejuar kështu lëvizjen e qytetarëve shqiptarë për udhëtime jo thelbësore.

Lajmi bëhet i ditur nga Radio Evropa e Lirë, e cila raporton se jo vetëm Shqipëria, por edhe Serbia rrezikon të humbasë statusin e vendeve të sigurta nga pandemia e koronavirusit.

Burime brenda BE-së se thonë se  Presidenca sllovene e Bashkimit Evropian e ka përfshirë Shqipërinë dhe Serbinë në mesin e shteteve që rrezikojnë të hiqen nga lista e vendeve të sigurta për udhëtimet në territorin e Bashkimit Europian.

Për këtë çështje do të diskutohet të mërkurën (8 shtator) nga ana e ambasadorëve të vendeve të BE-së.

Nëse ata vendosin pro kësaj mase, atëherë qytetarët shqiptare nuk do të jenë më në gjendje të lëvizin  në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, përveçse për arsye pune ose shëndetësore.

BE-ja e përditëson çdo dy javë listën e vendeve të sigurta dhe atyre jo të sigurta. Vendimet bazohet në të dhënat për numrin e të infektuarve me koronavirus për 100 mijë banorë, dhe Shqipëria, bashkë me Serbinë, kanë shënuar përkeqësim të situatës epidemiologjike.

Vendi ka shënuar dy javë e fundit një rritje prej 105% të rasteve të reja, sipas të dhënave të OBSH-së. Po ashtu, një sërë vendesh europiane kanë ngritur shqetësime se shumë qytetare shqiptarë po udhëtojnë drejt BE-së me tamponë të falsifikuar.

Më 30 gusht, BE-ja zyrtarisht hoqi Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut nga lista e "vendeve të sigurta", për shkak të përkeqësimit të situatës me pandeminë e COVID-19 në këto vende.

Pavarësisht vendimit, Këshilli i BE-së tha se shtetet anëtare mund të vendosin rregulla të veçanta se si do t’i trajtojnë njerëzit e vaksinuar nga këto vende.

Një shtet mund të përfshihet në listën e vendeve të sigurta të BE-së nëse regjistron 75 raste pozitive të koronavirusit për 100,000 banorë në 14 ditët e fundit.

Çdo shifër më e lartë, i vendos ato në kategorinë e vendeve jo të sigurta. Shqipëria ka për momentin 214 raste për 100 mijë banorë dhe  më shumë se 12 mijë raste aktive. Kjo do të thotë se vendi ynë nuk i plotëson kushtet e BE-së për të qënë në listën e vendeve të sigurta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë