Ngjarje

Rritja e tarifës së patentave, autoshkollat bojkotojnë provimet

Nga Gazeta Si- Rritja e tarifës së patentave nuk është mirëpritur nga grupet e interesit si Shoqata Kombëtare e Autoshkollave dhe Federata e Transportit. Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Transportit Tonin Gjinaj tha në një deklaratë se drejtuesit e Shoqatës Kombëtare të Autoshkollave kanë vendosur që të bojkotojnë punën.

“Të gjitha autoshkollat do të bojkotojmë. Nuk do të shkojmë në provime, do e bllokojmë këtë lloj qasje me atoshkollat”, tha Gjinaj duke shtuar se kërkesat e tyre janë që të gjithë autoshkollat të tatohen në mënyrë të drejtë, që të ketë një program mësimor i cili është i dhënë, i shkruar e zezë në të bardhë në Kod Rrugor, në udhëzim, të zbatohet dhe të ketë një tarifë të përshtatshme për qytetarët”, tha Gjinaj.

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Transportit shtoi se është e nevojshme që të informohen paraprakisht për ndryshimet që do të bëhen.

“Ne do rrimë atje ku na lë ligji. Ne nuk i ndahemi kësaj radhe dhe nuk shkojmë në prova, do t’i denoncojmë në të gjitha organet e zbatimit të ligjit. Ne kërkojmë zbatimin e Kodit Rrugor të cilin vetë e kanë miratuar, zbatimin e udhëzimit të Ministrisë së Transportit të cilin vetë e kanë miratuar dhe kërkojmë që të na vihet procedura një muaj përpara, le ta tërheqin atë shkresën. Një muaj përpara të na lajmërojnë për procedurën, ne të përgatitemi, jo të shkojmë të gjendemi përpara faktit të kryer”, thotë Gjinaj.

Tarifa e kartonit të patentës që deri më tani ishte me afat vlefshmërie 10 vite, ishte 3500 lekë dhe tashmë bëhet 4.500 lekë, por afati zgjatet në 15 vite.

Një tjetër ndryshim ka dhe tarifa e pajisjes me leje drejtimi për grupmoshën mbi 65 vjeç. Nëse deri më tani kishte afat vlefshmërie 5 vite dhe paguhej 3,500 lekë, tashmë bëhet 2 mijë lekë dhe ka afat 15 vite.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë