Gjykata Administrative e Shkallës së parë, ka shfuqizuar VKM-në që i kalonte Kopshtin Botanik në pronësi të Bashkisë të Tiranës.
Vendimi është marrë pas një procesi të gjatë gjyqësor që kishte nisur që në vitin 2019.
Ka pasur shtyrje të vazhdueshme të seancave gjyqësore pasi pala e bashkisë apo e ministrisë, nuk kanë qenë të pranishëm.
Me vendimin e fundit të dhënë nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, Kopshti Botanik mbetet nën administrimin e Universitetit të Shkencave të Natyrës.
Universiteti ka qenë vazhdimisht kundër Vendimit të Këshillit të Ministrave, me pretendimin se shkel hapur autonominë e Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe lirinë akademike.
Dekanati: Nëse apelojnë, do ndjekim rrugën ligjore
Dekanati i fakultetit, është shprehur i kënaqur nga vendimi i fundit i Gjykatës Administrative. “Është një lajm i mirë për komunitetin tonë, nuk mund ta fshehim. Gjithsesi, ne mirëpresim planet dhe investimet e Bashkisë Tiranë, por gjithnjë të dakordësuar dhe pa cenuar funksionin dhe misionin e Kopshtit Botanik”, – tha dekani Spiro Drushku pas vendimit të fundit.
Kopshti Botanik do të mbetet kështu një pronë-shtet, në kujdestari të Fakultetit të Shkencave, gjithnjë nëse qeveria apo Bashkia e Tiranës, si palë e tretë nuk do ta apelojnë këtë vendim në Gjykatën Administrative të Apelit.
“Edhe nëse apelojnë, ne do të vazhdojmë të ndjekim gjithnjë rrugën ligjore”, – vijoi Drushku. – Bashkia nuk ka filluar punimet aty. Deri sa çështja ka qenë në gjyq, nuk ka pasur mundësi për të nisur punimet për të ndërhyrë në formën që ajo donte”.
Kalvari gjyqësor dhe protestat
Në fakt, ka qenë një kalvar i gjatë gjyqësor që ka nisur që në vitin 2019. Në tetor të këtij viti, u zhvillua edhe një protestë para Gjykatës Administrative në mbrojtje të Kopshtit Botanik.
Pedagogë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe qindra studentë kundërshtuan vendimin e qeverisë që Kopshti Botanik t’i kalojë në administrim Bashkisë Tiranë, me argumentimin se bëhet fjalë për një qendër kërkimore.
Sipas tyre, kalimi i pronësisë drejt bashkisë është i padrejtë dhe jo transparent.
“Përderisa kemi një vendim jo-transparent, atëherë askush nuk mund të thotë që Kopshti Botanik, nuk do të kthehet në një shesh ndërtimi”, thanë pedagogë dhe studentë gjatë protestës së tyre në 2019-ën.
Situata e Kopshtit Botanik
Që prej vitit 1971, kur dhe u themelua nga botanisti i mirënjohur Mustafa Demiri, Kopshti Botanik ka shërbyer si njësi Shërbimi Universitare dhe njëherazi si një institucion i kërkimit shkencor në studimin e florës dhe bimësisë së Shqipërisë. Kopshti zë një sipërfaqe prej rreth 15 hektarë dhe në të rriten rreth 1.400 lloje dhe nënlloje bimore, mes tyre bimësi të rralla dhe në rrezik zhdukje.
Kopshti ka qenë në vite laboratori natyror më i afërt për të njohur florën dhe bimësinë e vendit për të gjitha kurset e studimeve biologjike në UT.
Për këtë ka pasur gjithmonë lidhje të ndërsjella me Katedrën e Botanikës, me Grupin mësimor të Botanikës dhe gjithë Departamentin e Biologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, si në mësimdhënie dhe në kërkim, duke ndihmuar në këtë mënyrë njëri-tjetrin.
Brenda vetë Kopshtit, ose nën udhëheqjen e ekspertëve të Kopshtit, kryhen vazhdimisht punë diplomash, doktoratash apo studime të tjera në fushën e florës dhe bimësisë shqiptare me interes për vendin, por dhe më gjerë. Por si i tillë, Kopshti vlen edhe më shumë, pasi është i vizitueshëm nga shumë kurse universitare apo klasa të arsimit parauniversitar, jo vetëm nga Tirana, por nga gjithë vendi.
Pse e kërkon Kopshtin Botanik Bashkia e Tiranës
Pas akuzave të opozitës dhe shoqërisë civile se Kopshtit Botanik mund të shndërrohej në një shesh gjigant ndërtimi, Bashkia e Tiranës pati deklaruar se sipërfaqja nuk do të tjetërsohet.
“Bashkia kërkon ta përfshijë në investimet që ka bërë deri tani, si në Liqenin Artificial. Ai është një kopsht i degraduar dhe universiteti nuk ka mundësi të kujdeset për të. Interesi i bashkisë është i thjeshtë: kopshti të rivitalizohet dhe në periudhën kur nuk i duhet universitetit, të jetë i hapur për qytetarët e Tiranës, – pati deklaruar në 2019-ën, nënkryetari i bashkisë, Arbjan Mazniku. – Ne jemi gati të bëjmë një marrëveshje me universitetin që t’i ruhen të gjitha të drejtat që gëzojnë sot dhe i kemi premtuar që arsyeja pse sot nuk kemi projekt specifik, sepse duam që këtë projekt ta bëjmë bashkë me universitetin”, – theksoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.