Shendet

Rreziku për demencë rritet me numrin e cigareve në ditë

Pirja e duhanit mund të dëmtojë jo vetëm zemrën dhe mushkëritë, por edhe shëndetin e trurit, duke rritur rrezikun për zhvillimin e demencës. Ky është përfundimi i një studimi të gjerë të drejtuar nga studiues të Universitetit Curtin në Australi, i publikuar në revistën shkencore eClinicalMedicine.

Studimi, i cili analizoi të dhënat e rreth 2.8 milionë njerëzve, zbuloi se personat që pinë duhan kanë 31% më shumë gjasa të zhvillojnë demencë, krahasuar me ata që nuk kanë pirë kurrë duhan.

Rreziku është edhe më i lartë për disa forma të sëmundjes. Sipas rezultateve, duhanpirësit kanë 40% më shumë rrezik për Alzheimer dhe 52% më shumë rrezik për demencë vaskulare.

Një nga gjetjet më të rëndësishme të studimit është lidhja mes sasisë së duhanit të konsumuar dhe rrezikut për dëmtime të funksioneve njohëse. Sa më shumë cigare të pihen në ditë, aq më i lartë rezulton rreziku.

Konkretisht, personat që konsumojnë rreth 10 cigare në ditë kanë një rrezik 16% më të lartë për demencë, ndërsa te ata që pinë 20 cigare në ditë, ky rrezik arrin në 34%, krahasuar me personat që nuk kanë pirë kurrë duhan.

Studiuesi kryesor, Mario Serfo, thekson se këto rezultate tregojnë rëndësinë e përfshirjes së shëndetit të trurit në diskutimet mbi pasojat e duhanpirjes.

Sipas tij, dëmet e duhanit nuk duhet të kufizohen vetëm te sëmundjet kardiovaskulare, problemet e frymëmarrjes dhe kanceri, pasi ndikimi i tij në funksionet njohëse meriton gjithashtu vëmendje të veçantë.

Një tjetër rezultat inkurajues lidhet me personat që kanë lënë duhanin. Studimi zbuloi se ata nuk paraqesin një rrezik të shtuar për demencë krahasuar me personat që nuk kanë pirë kurrë duhan. Gjithashtu, rreziku i tyre është më i ulët se ai i personave që vazhdojnë të pinë.

Megjithatë, studiuesit sqarojnë se rezultatet nuk provojnë një lidhje të drejtpërdrejtë shkakësore mes duhanit dhe demencës, por forcojnë provat shkencore për lidhjen mes tyre dhe për përfitimet e mundshme të ndërprerjes së duhanpirjes.

Blossom Stephan, bashkautore e studimit, kërkon që shëndeti i trurit të përfshihet më shumë në fushatat ndërgjegjësuese kundër duhanit. Sipas saj, paralajmërimet mbi paketat e cigareve dhe programet për lënien e duhanit duhet të informojnë qytetarët edhe për pasojat e mundshme në kujtesë dhe aftësitë njohëse.

Studiuesit theksojnë gjithashtu nevojën për kërkime të mëtejshme për të kuptuar se si ndikon mosha në të cilën ndërpritet duhanpirja dhe kohëzgjatja e qëndrimit pa duhan në rrezikun e zhvillimit të demencës.

Gjetjet përforcojnë mesazhin se lënia e duhanit është një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetit të përgjithshëm, përfshirë edhe atë të trurit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë