Ka ndodhur

Video/ Probleme nga reshjet e dëborës në disa akse të vendit. Në rrugën e Arbrit nuk kalohet pa zinxhirë

Reshjet e dendura të shiut dhe dëborës, kanë krijuar probleme pothuajse në të gjithë territorin e vendit. Në zonat malore të Shkodrës, dëbora shkon deri në 1.5 metra, ndërsa problematika ka në akset rrugore për shkak të rrëshqitjes së gurëve në Vlorë, Berat dhe Durrës.

Në Qafë Thore të Shkodrës, dëbora ka arritur deri në 1.5 metra, ndërsa rruga është e kalueshme deri në fshatin Okal. Sipas informacioneve dëbora në Vermosh arrin deri në 15 centimetra ndërsa në Qafë të Bardolecit arrin deri në 30 centimetra.

Gjithashtu për shkak të problemeve në linjat elektrike, e gjithë njësia administrative e Kelmendit është pa energji elektrike prej dy ditësh.

Gjatë natës kanë vazhduar reshjet e shiut e dëborës në lartësitë mbi 1100 m edhe në Juglindje të vendit aty ku trashësia e dëborës në Dardhë varion 20-30 cm.

Reshje dëbore kanë filluar gjatë mesditës edhe në aksin Qafë Thanë-Kapshticë, Korçë-Ersekë, në Dardhë, në Llogara dhe në Tamarë, ku mjetet borëpastruese janë në terren, ndërsa qarkullimi vazhdon pa probleme

Sipas ARRSH-ë, reshjet e shiut dhe dëborës do të vijojnë edhe gjatë natës. “Drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes në lëvizje dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore, të reduktojnë shpejtësinë, të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore, të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore”, - paralajmëron ARRSH.

Vështirësi qarkullimi në Rrugën e Arbrit

Për shkak të reshjeve të dendura të dëborës në Rrugën e Arbrit, në Bypass, qarkullimi i automjeteve kryhet me vështirësi.

Policia e Shtetit ka ngritur pika kontrolli në të dyja kahet e lëvizjes dhe nuk do të lejojë asnjë drejtues mjeti të qarkullojë pa vendosur goma dimërore dhe zinxhirë.

Ndërkohë, borëpastrueset po punojnë për pastrimin e rrugës, por për shkak se reshjet po vijojnë qarkullimi i mjeteve duhet të bëhet vetëm me zinxhirë dhe goma dimërore.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar në drejtimin e mjetit, si dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në këtë aks.

Rrëshqitje dherash në Vlorë, Berat dhe Durrës

Problematika nga reshjet e shiut janë shfaqur edhe në disa akse rrugore për shkak të rrëshqitjes së dherave dhe gurëve.

Për shkak të reshjeve të shiut në aksin rrugor Vlorë-Orikum, në Jonufër rruga është bllokuar tërësisht për shkak të rrëshqitjes së dherave.

Shirat e rrëmbyeshëm kanë shkaktuar edhe rrëshqitjet e gurëve në aksin nacional Berat-Skrapar, ndërsa prezenca e gurëve ka krijuar vështirësi në qarkullim.

Rrëshqitje ka pasur edhe në aksin Lalëz-Bizë në Ishëm të Durrësit. Mësohet se kjo situatë ka shkaktuar problematika kryesisht në transportimin e nxënësve. Nga ana tjetër lumenjtë Ishëm dhe Erzen janë fryrë në zona te caktuara, por nuk janë konstatuar dalje nga shtrati.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë