Drejtësia

Rrëmbimi dhe vrasja e Jan Prengës, rifillon gjykimi për Dritan Rexhepin dhe 6 të akuzuar të tjerë

Gazeta Si - Në Gjykatën e Posaçme ka rifilluar gjykimi pas një viti pezullimi për shkak të mosmarrëveshjes, ndaj të pandehurve, Dritan Rexhepi, i zhdukur pas lirimit me kusht në Ekuador, Gentian Funiqi, i arrestuar në Spanjë, në pritje të ekstradimit, Geraldo Martini, Aldo Majnishta, Martin Bleta, Korado Gështenja e Artan Docaj, të akuzuar si grup i strukturuar kriminal për rrëmbimin e Jan Prengës.

Po ashtu, një ditë më parë, filloi gjykimi në mungesë për të njëjtin rast edhe ndaj Altin Hajrit, i shpallur në kërkim nga SPAK.

Ai akuzohet për veprat penale të rrëmbimit apo mbajtjes peng të personi, ku është shkaktuar vdekja, mbajtja pa leje e armëve luftarake, fshehje dhe asgjësim kufome, si dhe grup të strukturuar kriminal.

Altin Hajri, në tetor të vitit 2015, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, i dyshuar si koka e një rrjeti të trafikut të drogës nga Afganistani në Itali.

Mirëpo 8 muaj më vonë, në 2016-ën, autoritetet italiane pushuan hetimin ndaj tij, duke hequr emrin e tij nga listat e të kërkuarve.

Në Shqipëri, Altin Hajrit iu bllokuan pasuri me vlerë rreth 10 milionë euro. Të dyshuar si pjesë e këtij trafiku, në atë kohë u arrestuan në qytetin e Durrësit edhe djali i xhaxhait të Altin Hajrit, dhe një kushëri tjetër i tij, Hajri Balla dhe Fortuz Hajri, 53 dhe 24 vjeç, të dy banues në Shijak.

Ndërkohë, në shtatorin e vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme dënoi me burgim të përjetshëm një nga të akuzuarit për ngjarjen, Festim Bexhdilin, i vetmi i arrestuar për rastin, një ish-kopshtar në kompleksin “Golden” në Shijak.

Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar pushimin e akuzës për personat nën hetim, Bajram Hajri, Leonard Hajri, Elton Hajri, Aleks Doçaj dhe Ardian Doçaj, pasi sipas akuzës nuk provohet që këta persona të kenë kryer veprat penale përkatëse.

Jan Prenga, baba i tre fëmijëve u rrëmbye në 17 janar 2020 në Kamëz, disa ditë pasi ishte ndjekur dhe vëzhguar.

Ai u përlesh me rrëmbyesit, po ata e rrëmbyen me një makinë dhe e transportuan në kompleksin “Golden” në Shijak, në pronësi të Altin Hajrit, një personazh i skeduar për trafik të lëndëve narkotike.

Prenga u rrëmbye pasi vëllai i tij Astriti, grabiti sasinë prej 260 kg heroinë në një port të Britanisë së Madhe.

Për të kthyer drogën, Dritan Rexhepi, që ndodhej në atë kohë në një burg të sigurisë së lartë në Ekuador dhe Gentian Doçaj Funiqi, urdhëruan të merrej peng.

Edhe pse ngjarja ka ndodhur gati tre vite më parë, trupi i Jan Prengës ende nuk është gjetur nga autoritetet.

Ndërsa tratativat për lirimin e Prengës dhe dorëzimin e kokainës së vjedhur ishin në zhvillim e sipër mes dy grupeve, duket se Jani ka ndërruar jetë nga dhuna e ushtruar nga rrëmbyesit dhe situata më pas ka dalë jashtë kontrollit.

Policia, për një periudhë të gjatë ka kryer kërkime në zonat pranë resortit në Shkozet, por pa mundur të gjejë trupin e pajetë të 46-vjeçarit.

Prokurorët shpresonin që njërin prej të arrestuarve ta kthenin në bashkëpunëtor të drejtësisë, por nuk ia dolën.

Edhe pse janë mbyllur hetimet, ende nuk janë identifikuar të gjithë personat që kanë qenë në garazhin e hotelit. Aktualisht në burgun po e vuan vetëm Festim Bexhdili, kopshtari i cili pastron garazhin nga gjaku i 49-vjeçarit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë