Njerez

Rrëfimi i Roberto Baxhos: Publiku, më i rëndësishëm se trofetë

Roberto Baxhio, një nga mitet e futbollit italian dhe një personazh shumë i dashur edhe për shumë tifozë shqiptarë, ka rrëfyer për “Vanity Fair” karrierën e tij. Mes të tjerash, “bishtaleci” ka theksuar se trajnerët më të mirë janë ata që respektojnë futbollistët, ndërsa si rezultatin më të madh ai konsideron te qenit në zemrën e njerëzve.

Baxho ka folur për lidhjet e tij me trajnerët, me publikun dhe Bolonjën, qytetin që e rilindi pas dy vitesh të vështira te Milani dhe që i dha mundësinë që në moshën 31-vjeçare të luante Botërorin e fundit në Francë, pas një sezoni me 22 gola të shënuar.

“Futbolli është dhe do të mbetet i futbollistëve. Trajnerët më të zotë janë ata që e vlerësojnë dhe dinë ta trajtojnë me ndershmëri futbollistin, dinë t’i flasin atij, dinë të ruajnë respektin dhe që dinë t’i përballojnë bashkë me ta çështjet teknike. Do të më pëlqente ta kisha kështu trajnerin: njohuritë taktike mund të përfitohen duke studiuar, ato më të vështirat për t’u gjetur janë vlerat njerëzore. Një trajner aktual me të cilin do doja të luaja? Guardiola, besoj se është më i miri nga të gjithë”, – është shprehur Baxho.

Baxho me fanellën e Italisë gjatë një ndeshjeje ndaj Brazilit. Gazeta Si, 18 nëntor 2020

Edhe pse ka veshur disa fanella në Serinë A, Baxho ka ditur t’i bashkojë të pasionuarit e futbollit në gjithë Italinë, pavarësisht asaj penalltie të humbur kundër Brazilit në Botëror. “Të jesh në zemrën e tifozëve, ky është rezultati më i madh për çdo futbollist dhe për çdo sportist. Të transmetosh vlera pozitive, të dhurosh momente gëzimi, kjo vlen më shumë se çdo rezultat në fushë, që ndonjëherë vjen nga ndonjë episod i pafat. Nuk dua të them se nuk kanë rëndësi trofetë, në fund të fundit luajmë të gjithë për të fituar, por nuk është vetëm kjo, nuk mund të jetë vetëm kjo”.

Në fund edhe një koment për Bolonjën: “Në këtë qytet e kupton menjëherë që ka një kulturë futbollistike përtej pasionit të pastër. Tifozët janë shumë të këndshëm, kanë parë lojtarë të mëdhenj, me kualitet. Të veshësh atë fanellë do të thotë të respektosh historinë e kësaj skuadre. Është një përgjegjësi e madhe, pavarësisht se nuk lufton për titullin kampion. Bolonja më ka dhënë shumë dhe jam i lumtur që kam kontribuuar për një sezon plot emocione. Janë ato që mbeten dhe që vlejnë më shumë se titujt”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë