Ngjarje

Rrëfimi i policit që u godit por që gjykata nuk e dëgjoi

Mbrëmjen e 28 korrikut, Jonuz Vrapi iu përgjigj një thirrjeje për ndihmë nga qytetarët në qytetin e Kuçovës, si efektiv i policisë në këtë rreth. Ishte një grup banorësh që po debatonin me një 37-vjeçar në një rrugë, duke i kërkuar atij që të mos lëvizte me shpejtësi në këtë zonë të banuar.

37-vjeçari është identifikuar si Ylli Luka, nga zona Nikël e Krujës. Polici Vrapi rrëfen se pikërisht në momentin që i kërkon Lukës që të hynte në automjet dhe të largohej, ky i fundi i jep gaz makinës dhe kryen disa manovra të rrezikshme në rrugë.

“Unë shmanga konfliktin dhe i kërkova Lukës të futej në mjet dhe të largohej, por ai nuk u largua. Drejtuesi i mjetit, me frena dore xhiroi me të katërta gomat dhe eci indietro duke më goditur,rashë në tokë dhe mjeti pasi doli 5-6 metra larg turmës kishte mundësi përsëri të largohej, por u kthye dhe i ra sërish turmës me mjet për t’i qëlluar,por fatmirësisht njërëzit u hodhën mbi trotuar dhe nuk pati të lënduar”, thotë Vrapi.

Makina e përplas efektin duke i shkaktuar dëmtime të rënda në të dyja këmbët. Vrapi përfundoi në spital, ndërsa Ylli Luka në gjykatë. Pikërisht këtu, sipas efektivit, ndodh padrejtësia më e madhe.

“Gjykata e liroi duke e cilësuar ngjarjen aksidentale. Ngjarja ishte e qëllimshme, pasi ai kishte mundësi të largohej, por nuk u largua”, këmbëngul ai.

Vrapi pohon se, edhe pse ka qënë në shërbim e në krye të detyrës, me uniformën dhe me mjetin e policisë, deri tani nuk i është marrë asnjë deklaratë në lidhje ngjarjen e rëndë, edhe pse ai është i dëmtuari.

Banesa e efektivit, Jonuz Vrapi, i plagosur në ngjarjen e 28 korrikut në qytetin e Kucovës

Vrapi e cilëson 37-vjeçarin Ylli Luka, një njeri problematik dhe tregon se ai e ka arrestuar disa muaj më parë, pas denoncimit të bërë në policinë e Kuçovës nga bashkëjetuesja e tij për dhunë ndaj saj.

Pas goditjes, efektivi Vrapi u dërgua me urgjencë në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku qëndroi 15-ditë për shkak të thyerjes së të dyja këmbëve. Për këtë ngjarje, gjyqtari i Gjykatës së Shkallës së Parë të Beratit, Durim Hasa e ka lënë të lirë autorin 3-ditë pas ngjarjes, duke dhënë për të masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe duke e cilësuar ngjarjen “aksidentale”.

Rruga ku ndodhi ngjarja

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë