Lojëra me Dore

Rrëfimi i Majkëll Xhordan: Te Çikago Bulls përdornin droga të çdo lloji

Majkëll Xhordan, ish-ylli i basketbollit amerikan, në kujtimet për vitet e para në NBA zbulon disa detaje interesante, që me siguri do të pasohen nga shumë diskutime. "Kur shkova te Çikago Bulls ishte një rrëmujë e madhe mes femrave dhe drogës. Veteranët e skuadrës bënin gjëra që nuk i kisha parë kurrë më parë", - thotë ai. Një ambient aspak i lehtë për një djalosh 21-vjeçar.

Çikago ishte një nga skuadrat më të këqija të ligës në atë kohë dhe vetëm pas mbërritjes së Xhordan u transformua në një dinasti të destinuar për të dominuar në parket në vitet '90. Fjalët e Xhordan janë marrë nga dy seritë e para të serialit televiziv dedikuar atij, "The last dance". Një serial që tregon udhëtimin e gjatë të jetës së një prej ikonave më të mëdha të sportit botëror.

Nga seriali kushtuar Majkëll Xhordan. Gazeta Si, 20 prill 2020

Nga kolegji i Karolinës së Veriut, duke kaluar në draftin e NBA-së të vitit 1984, ku u përzgjodh nga Çikago Bulls si zgjedhja e tretë absolute. Dhe kur shkoi te skuadra e parë mbeti me gojë hapur. "Kujtoj një rast para nisjes së kampionatit, ishim në Peoria, në Ilinois. Isha në hotel dhe po kërkoja shokët, po trokisja te të gjitha dyert, derisa shkova para një dhome ku kishte shumë zhurmë. Dëgjova dikë të thoshte: 'Shhhh, është dikush te dera'. Pastaj dëgjova një zë që tha: 'Kush është?' U përgjigja: 'MJ'. Pastaj thanë: 'E martë dreqi, është ai i riu, mos u shqetësoni’. Hapën derën dhe pashë që ishte gjithë skuadra, bënin gjëra që nuk i kisha parë më parë. Kishte vija droge kudo, tuba marijuane, femra. Nga ai moment mbeta vetëm".

Xhordan, kur luante me Çikago Bulls. Gazeta Si, 20 prill 2020

Majkëll Xhordan specifikon se disa mënyra sjelljeje te Çikago nuk ishin aspak të tipit të tij. "Nuk shkoja në lokale, nuk kam tymosur, nuk kam përdorur kokainë dhe në atë kohë nuk pija as alkool. Doja vetëm të pushoja dhe të isha sa më mirë në basketboll".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë