Ngjarje

S’e donte nuse në shtëpi, 61-vjeçari vret partneren e djalit, më pas vetëvaret. Gjykata i kishte refuzuar urdhrin e mbrojtjes

Gazeta Si - Mosmarrëveshjet në familje kanë çuar në një tragjedi me dy të vdekur në Vidhisht të Roskovecit në Fier, ku 61-vjeçari Xhevair Hoxha vrau me thikë bashkëjetuesen e djalit të tij, 30-vjeçaren Merushe Hazizi, e cila ishte nëna e tre fëmijëve nga një martesë e mëparshme.

Pas krimit, 61-vjeçari, i cili më herët kishte kërkuar një urdhër-mbrojtjeje nga Gjykata e Fierit, që e reja mos t'i afrohej banesës së tij, është vetëvrarë, duke varur veten në një pemë pas banesës.

Nuk e donte nuse në shtëpinë e tij

Shkak i krimit, dyshohet të ketë qenë fakti që babai i partnerit të vajzës, nuk pranonte bashkëjetesën e djalit të tij, Fatjon Hoxha me Merushe Hazizin.

Për këtë arsye ata janë konfliktuar, ku më pas Hoxha ka marrë thikën, duke goditur dhe duke e lënë të vdekur në vend.

Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e të martës, teksa djali i Xhevairit ishte duke punuar me traktor në arat e familjes, ndërkohë që nëna, babai dhe bashkëjetuesja ndodheshin në shtëpi.

Gruaja e re ishte e divorcuar dhe nga martesa e parë ka 3 fëmijë, për të cilët kujdesej ish-bashkëshorti. Ndërkohë, 30-vjeçarja bashkëjetonte prej 3 vitesh me djalin e autorit. Në vendngjarje ka shkuar policia dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e krimit.

Xhevahiri kërkoi urdhër-mbrojtjeje, por gjykata e refuzoi

Në fund të muajit mars, i moshuari Xhevahir Hoxha, kishte kërkuar ndërhyrjen e gjykatës, duke u lutur për urdhër-mbrojtjeje.

"Nuk jam dakord me bashkëjetesën e djalit, ndihem i rrezikuar prej tyre", - mësohet të ketë pohuar kryefamiljari, duke kërkuar që bashkëjetuesja e të birit, Merushe Hazizi mos t’i afrohej banesës së tij.

Por kjo kërkesë nuk u gjet e bazuar nga Gjykata e Fierit, shpjeguan burime të Gazetasi.al. Krimi në familjen Hoxha, banuese në fshatin Vidhisht të Roskovecit në Fier, nuk u parandalua dot, pasi pas kësaj padie civile, 61-vjeçari nuk kishte dorëzuar asnjë ankesë penale.

Jetesa me qira në Vlorë dhe fëmijët te ish-bashkëshorti

Megjithatë, bëhet me dije se policia lokale ishte në dijeni të kundërshtimeve të 61-vjeçarit, që refuzoi bashkëjetesën e të birit me një grua të divorcuar, nënë e 3 fëmijëve.

Deri në muajin mars, çifti u zhvendos nga fshati në qytetin e Vlorës, ku jetuan me qira për shkak  të këtyre konflikteve brenda familjes dhe refuzimit të vazhdueshëm të kryefamiljarit për ta aprovuar lidhjen.

Të tre fëmijët e viktimës, e cila u godit mizorisht me një thikë mesditën e kësaj të marte, mbaheshin nga ish-bashkëshorti i saj, i cili banon në fshatrat e Beratit, kurse djali i të moshuarit vinte po ashtu nga një martesë e dështuar dhe kishte një fëmijë të mitur.

Dëshmia e gruas së autorit: Pashë Merushen të shtrirë

"Dëgjova të bërtitura, - rrëfen bashkëshortja e Xhevair Hoxhës, sipas burimeve të sigurta të Gazetasi.al, - dhe vrapova për brenda. Pashë Merushen të shtrirë, kurse burri im vrapoi dhe doli nga banesa".

Duke u marrë me bashkëjetuesen e të birit që po lëngonte dhe pastaj dha shpirt, ajo nuk pa se si brenda pak minutash, as 500 metra nga vendi ku qëlloi nusen e djalit, ai i dha fund jetës.

E afërmja: Babai i thoshte të birit që do t’i vriste të dy

Kunata e 61-vjeçarit që vrau nusen dhe u var në pemë ka folur para mediave për problemet në familje duke treguar se babai e kishte paralajmëruar ngjarjen e rëndë në familje.

Sipas saj, 61-vjeçari Xhevair Hoxha që vrau nusen me thikë i thoshte të birit që të mos e mbante në shtëpi ndërsa shpesh ia bënte të ditur se do t’i vriste që të dy.

“Kanë qenë shumë të mirë. Vjehrra e donte. Merushja punonte në një serë të vogël aty para shtëpisë. Kishin nja 1 vit që duheshin. Kishte 3 fëmijë ajo, i kishte lënë tek e ëma. Ai ishte shumë në rregull, punonte. Nuk ishte dakord me djalin. Ai i thoshte mos e mbaj në shtëpi se nuk e dua. I kishte thënë djalit gjithmonë, do vras ty e atë dhe do të vetëvarem. Ziheshin shpesh për shkak të nuses. Të gjithë punonin e bënin. Djali ka qenë me zetor duke punuar”, - thotë ajo për mediat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë