Lojëra me Dore

Roland Tarja tregon sekretet e suksesit të Partizanit në volejboll

Prej dy vitesh volejbolli shqiptar flet vetëm me gjuhën e Partizanit. Ekipi i kuq, pas disa dekadave mungesë është rikthyer që të dominojë në volejbollin shqiptar. Te të dyja ekipet sukseset kanë qenë të mëdha në këto dy vite, por vajzat janë ato që kanë tërhequr më shumë vëmendjen me performancat e tyre. Kampionati i dytë radhazi dhe triumfi në Kupën e Shqipërisë, janë arritje që çdo skuadër tjetër do i kishte zili. Strategu këtij suksesi në volejboll për Partizanin, quhet Roland Tarja. Në një prononcim për Gazeta Si, Tarja ka treguar gjithë historinë që nga formimi i këtij grupi gati para dy vitesh, e deri tek rindërtimi sezonin e shkuar, pas largimeve të shumta.

Ekipi i Partizanit duke festuar titullin kampion

Tarja tregon në rrëfimin e tij se ka qenë një punë shumë e madhe dhe me një objektiv të qartë. Duke qenë modest, ai thekson rëndësinë e të gjithë aktorëve të Partizanit që sollën në arritjen e këtij suksesi që po lë gjurmë në historinë e volejbollit shqiptar. “Rindërtimi i Partizanit filloi një vit më parë me synimin për t’u shpallur kampion dhe për një periudhe 2-3 vjeçare për përgatitur një skuadër të denjë dhe për kupat europiane. Besoj që deri tani ja kemi arritur qëllimit dhe shpresoj shumë që ky projekt të vazhdojë sa më gjatë. Një meritë të veçantë kanë vajzat për punën e palodhur, ku rreth tyre qëndronte një staf profesional drejtuesish ku përmendim, Drejtorin Shkelqim Muça, Inspektorin Elton Stafa dhe presidentin Rogert Huqi, pa të cilin suksesi gjatë këtyre 2 viteve do të ishte i pamundur.”

Partizani 2018-2019

Shkatërrimi i kompleksit të Partizanit dhe terrenet sportive për stërvitjen normale, sigurisht që përbëjnë një nga problemet më të mëdha, por që sipas teknikut të Partizanit janë kaluar falë punës dhe vullnetit të madh të të gjithëve. Sipas tij, fryma në grup dhe harmonia kanë qenë çelësi i Partizanit në volejbollin e femrave. “Mungesa e ambienteve sportive pati ndikim negativ në skuadër pasi oraret nuk ishin të përshtatshme për një stërvitje normale, me grupin e plotë. Këtë vit besoj që gjithçka do të rregullohet pasi ne jemi klub i bashkisë dhe pallati i sportit është pjesë e saj. Çelësi i suksesit qëndron gjithmonë puna e palodhur, djersa e derdhur në stërvitje e cila gjithmonë shpërblehet, besimi tek lojtaret dhe tek stafi me të cilin punoj, me zv.tranjerin Ilir Thanasin, dhe doktorin Surven Metolli. Merkato e zgjuar me lojtare cilësore dhe në kohën e duhur.”
Duke u ndalur të flas për ecurinë e këtij sezoni, Tarja nuk i fsheh vështirësitë e mëdha, përmes të cilave kaloi ekipi i tij, deri në triumfin e dyfishtë Kupë dhe Kampionat.

Trajneri Roland Tarja dhe ndihmes trajneri Ilir Thanasi

“Emocionet të papërshkrueshme pasi të fitosh 7 ndeshje radhazi në play-off nuk është e lehte. Është frut i një punë të palodhshme gjatë një viti, ku skuadra pati një fazë të parë me oscilacione dhe një fazë të dytë të qartë për objektivat që do të arrinim. Fundi i sezonit na gjeti në vendin e 4, por mbas fitimit të kupës kishim shumë besim se do t’ja dilnim Ne gjysmëfinale fituam 2 ndeshje me Vllazninë që ishte skuadra më në formë për momentin. 2 ndeshje emocionuese 3-2 me vendin e parë Rrëshenin dhe në Finale 3 ndeshje me Tiranën, ku 2 në ishin fushën e Tiranës.”

Ishin largimet e disa volejbollisteve kryesore nga sezoni i shkuar, që ia vështirësoi punën Partizanit, por sipas Tares u arrit që ato të zëvendësohen në kohë dhe me sukses. "Largimet nga skuadra në verë sollën probleme në fillim të kampionatit, por ne i zëvendësuam me lojtare të reja të talentuara të cilat shfaqën shumë dëshirë për t’u përshtatur me pjesën tjetër të skuadrës dhe pak nga pak skuadra krijoi formën e duhur, ku dhe patëm rezultate të kënaqshme në kohë të shkurtër.”

Roland Tarja tregohet optimist edhe për të ardhmen, duke thënë se shpreson që disa volejbolliste të ekipit të tij të bëjnë hapin e madh në karrierë për të gjetur një ekip jashtë vendit. Por fillimisht ai thekson se ka nisur puna për të përfaqësuar Shqipërinë edhe në Kupat e Europës, që nuk ndodh prej shumë vitesh. Ky është një angazhim i vështirë për t’u marrë përsipër, por “trajneri i kuq” duket i vendosur për të arritur objektivin e radhës. “Shpresoj që ndonjë volejbolliste e talentuar të ketë fatin të luajë në volejbollin profesionist jashtë vendit. Ne bashkëpunojmë me një kompani turke ku një pjese e volejbollisteve tona janë pjesë e saj. Këtë vit skuadra do të marrë pjesë në kupat e Europës, gjë që kërkon një angazhim shumë të madh dhe një organik lojtaresh cilësore vendore dhe të huaja. Menjëherë kemi filluar punën për të formuar skuadrën dhe këtë vit do të fillojmë me shpejt se vitet e tjera.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë