Lojëra me Dore

Rruga e vështirë e rikthimit të Serena Williams

Kur u tërhoq nga tenisi përkohësisht për shkak të shtatzënisë, ajo mbante numrin 1 në renditjen e Federatës Ndërkombëtare të Tenisit. Por, koha e kaluar jashtë fushave dhe larg prozhektorëve të mëdhenj të këtij sporti e zhvendosën Serena Williams në vendin e 453.

Kjo nuk e përjashton fituesen e 23 Grand Slam-eve nga pjesëmarrja në “Roland Garros”, turneu më prestigjoz i tenisit botëror, por i vështirëson rrugën që ajo duhet të ndjekë. Federata Ndërkombëtare e Tenisit thotë se do të zbatohen rregullat dhe ndarja e shorti mes sportistëve do të vendoset në bazë të renditjes së përgjithshme të tenistëve.

Çfarë do të thotë kjo për Serena Williams? Tenistja amerikane nuk do të përfshihet në grupin e tenistëve që kryesojnë renditjen, të cilave u shmanget përplasja me njëra-tjetrën. Kjo lë të hapur mundësinë që Serena të përballet ende pa mbërritur tek finalet e mëdha me rivale të forta dhe janë pikërisht këto të fundit që janë trembur më shumë.

Maria Sharapova dhe Serena Williams në fund të një dueli para shtatzënies së tenistet amerikane

Maria Sharapova është rivalja më e madhe e Williams. Ajo nuk e përkrah vendimin e organizatorëve.

“Tenisi është një sport egoist. E di që ekzistojnë rregullat, por bëhet fjalë për një sportiste që sapo është bërë nënë. Për mendimin tim, Serena duhet të vendosej në grupin e tenisteve që u shmangen që në fillim përplasjet e forta”, thotë ajo.

Të njëjtin mendim ka edhe Simona Halep, tenistja që aktualisht mban numrin 1 në botë.

“Mendoj që duhet të ketë një rregull që t’u mbrohet renditja në 8 vendet e para tenisteve që shkëputen përkohësisht për të lindur një fëmijë”, thotë ajo.

Serena, 36 vjeç, u rikthye pas një pushimi 14 mujorsh. Në dy turnetë që ka marrë pjesë deri më tani, Federata Botërore e Tenisit (WTA) ka aplikuar të njëjtin rregull.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë